Thu, Nov 28, 2024

“Mbron ca pushtetarë që nga fishekzjarrët kaluan te delikatesa”/ Shehi thirrje deputetëve të opozitës: Ky ligj është turp, mos e votoni

  • PublishedJuly 26, 2024

Deputeti Dashamir Shehi, u bëri thirrje kolegëve opozitarë të mos votojnë ndryshimet në kodin e ri zgjedhor.

Sipas tij, ndryshimet janë një përsëritje e sistemit zgjedhor, “në formën më të keqe të tij”. Ai shtoi se kodi është krijuar nga kryetarët e PS-së dhe PD-së për të pasuar pushtetin sa te njëri, sa te tjetri.

“Ky që bëhet sot, është edhe më i keq. Se nëse te ai i 2008 nuk diheshin rezultatet, ky dihet. Të përsërisni këtë sistem në formën më të keqe, tregon se nuk ka asnjë vullnet për qeverisje të mirë. U mbyllen dyert të rinjve. Në Gjirokastër duhet 30% të votave për të futur një deputet, në Berat 20%, në Elbasan 10%, praktikisht duhen mbi 10% të votave për të futur një nejri në politikë, përveç Tiranës.

I ke hequr qytetarëve të drejtën për të zgjedhur dhe fytyrën e deputetit, nuk ndodh në asnjë vend. Votat i numërojnë dy partitë e mëdha. Është një sajesë e krijuar nga dy njerëz për të ruajtur pushtetin njëherë njëri, njëherë tjetri. Por ky që e ka, s’e ka në mend ta lerë. Ju drejtohem ju kolegë opozitarë, për çfarë votoni mo? Çfarë avantazhi shton ky ligj, përveçse se mbron ca pushtetarë që nga fishekzjarrë kaluan te delikatese. S’jemi vendi i shqiponjave, jemi vendi i kanarinave ore. Por a keni pak burrni. Turpi është yni. Unë nuk e votoj këtë ligj. Pozitive është vetëm ajo puna e emigrantëve, e dyta nëse këta zotërinj duan, bëjnë mirë të bëjnë votim elektronik të paktën në qytetet e mëdha. Pjesa tjetër është vazhdim i koorporatorizmit demokratik. Ky ligj nuk bën për shqiptarët, nuk është për të rinjtë. Dëgjova që thatë s’ka ardhur propozim, si nuk ka ardhur. Mos e bëni këtë turp për opozitën”.



AlbaniaWeb.net