‘Nuk është shaka’: Goditet në Kukës një grup i armatosur i trafikut të emigrantëve
Policia e Kukësit njoftoi të premten se kishte arrestuar në bashkëpunim me policinë e Kosovës një grup të strukturuar kriminal të përbërë nga shtetas sirianë dhe algjerianë, që organizonin trafikimin e emigrantëve të vendeve të treta nga Greqia në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian.
Pesë sirianë dhe një shtetas algjerian të moshave 20 deri në 40 vjeç u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Strukturimi”, ndërsa një i dyshuar i shtatë u shpall në kërkim. Ata janë identifikuar si: Ayoub Bahhoo, 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe Muhaned Nasir, 25 vjeç, Nagid Alabdahah, 20 vjeç, Muhamed Shehab, 21 vjeç, Mohamed Radawin, 20 vjeç dhe Rabii Lqadi, 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane. Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim shtetasi Sultan Grimashi, 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.
Sipas njoftimit të policisë së Kukësit, personat e lartpërmendur kishin hapur zjarr ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë. “Pas disa orësh ndjekje nga shërbimet e Policisë vendore dhe kufitare të Kukësit, duke koordinuar veprimet me Policinë Kufitare të Kosovës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 6 prej tyre, si dhe shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër,” thuhet në njoftimin e policisë së Kukësit.
Ata akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë të punonjësve të policisë së shtetit, armëmbajtje pa leje si dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huaj që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit. Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.
Menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës, dhe pas disa orësh ndjekje, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e grupit.
Shefi i Sektorit për mbikëqyrjen e kufirit të gjelbërt Kosovë-Shqipëri, Latif Hoxha, i tha BIRN se sulmi i armatosur ndaj policisë kishte ndodhur për shkak se të akuzuarit nuk kishin mundur të kalonin drejt Kosovës.
“Pasi janë përballur me policinë dhe nuk kanë mundur të kalojnë drejt Kosovës, ata janë kthyer nga efektivët shqiptarë dhe i kanë qëlluar me armë,” tha Hoxha. “Jemi udhëzuar që të organizojmë operacionin në terren. Në mesin e tyre ishte edhe personi kyç që është i njohur, por s’mund të japim detaje,” shtoi ai.
Nexhmi Krasniqi, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kufirit Perëndimi –Gjakovë, thotë se grupi i të arrestuarve është pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal që nga Siria-Maroku-Turqia-Greqia-Shqipëria e Kosova, ku kryetrafikantët janë sirianët e marokenët.
“Situata është serioze, nuk është shaka,” deklaroi për “BIRN” Nexhmi Krasniqi.
Ky është rasti i tretë që në në kufirin Shqipëri-Kosovë, apo afër tij është hapur zjarr me armë nga emigrantë, por edhe nga punonjës të policisë. Një emigrant nga Egjipti mbeti i plagosur rëndë me datë 5 dhjetor të vitit kaluar në Kukës gjatë një aksioni policie.
Ndërsa në qershor të vitit 2022, në kufirin e gjelbërt Shqipëri-Kosovë në Vermicë mbeti i vrarë një emigrant nga Lindja e Mesme, ndërsa një i dytë u plagos si pasojë e përplasjes me njëri-tjetrin.
Shqipëria dhe Kosova prej rreth tre vitesh vazhdojnë të jenë rrugë klandestinësh për emigrantët e paligjshëm kryesisht të Lindjes së Mesme, të cilët synojnë vendet e Evropës Perendimore për të vijuar jetën e tyre.