Sabotazh trenave në Francë! Kaos në stacionet hekurudhore, autoritetet: Sulm i koordinuar, po punohet për rikuperimin e defektit
Franca është përballur me një situatë të vështirë, pasi ka rënë pre e veprimeve dashakeqe që janë bërë veprime për të penguar lëvizjen e trenave të shpejtësisë së lartë për të ndërprerë udhëtimin përpara Ceremonisë së Hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit.
Ndërprerja ka nisur gjatë natës, ndërsa kompania shtetërore franceze e hekurudhave e konsideroi “sulm të koordinuar” zjarrvëniet e shkaktuara tek kabllot.
Për shumë orë ka pasur devijime ose anulime udhëtimesh me trena, ndërsa stacionet ishin të “pushtuara’ nga kaosi.
Ekipet po vijojnë punën për të rregulluar të gjithë situatën e krijuar, ndërsa deri më tani ka pasur rikthime graduale, por deri më tani nuk ka rikuperim total të dëmeve.
Operatori francez hekurudhor do të shpallë shumë shpejt një plan të ri transporti, sipas Ministrisë së Transporteve. Kjo pason një ditë vonesash të zgjatura në të gjithë rrjetin hekurudhor të shpejtësisë së lartë të Francës.
Mijëra njerëz që janë nisur drejt Parisit për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike sonte ose duke u larguar nga kryeqyteti francez për pushimet verore janë përballur me vonesa të rënda ose anulim të shërbimeve.
Ndërkohë në orët e pasdites ka pasur një alarm në Qendrën për Median, ambient ku janë vendosur gazetarë, operatorë e fotografë nga e gjithë bota, të cilët do të përcjellin emocionet e Lojërave Olimpike.
Policia franceze izoloi zonën për më shumë se 10 minuta, duke bërë kontroll të imtësishëm, por më pas gjithçka iu rikthye normalitetit, pasi alarmi rezultoi i rremë. Në përgjigje të sulmeve, shefi i policisë së Parisit tha të premten se policia po rrit sigurinë dhe po fokuson forcat në stacionet e trenit të kryeqytetit.
Franca planifikon të vendosë rreth 35,000 policë çdo ditë gjatë Lojërave, duke arritur kulmin në 45,000 për Ceremoninë e Hapjes . Përveç kësaj, 10,000 ushtarë do të vendosen në rajonin e Parisit, një përpjekje e mbështetur nga 1,800 oficerë policie nga e gjithë bota.
AlbaniaWeb.net