Mon, Nov 25, 2024

“Jam larguar nga grupi i Partisë Demokratike para disa ditësh” / Flutura Açka braktis politikën?!

  • PublishedJuly 30, 2024

E zhgënjyer nga konfliktet brenda opozitës, deputetja Flutura Açka njofton largimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Në një intervistë për “Breaking” në Top News, Açka u shpreh se vendimi erdhi pas sulmeve që ka marrë, sipas saj, nga Partia Demokratike, që tashmë ka si kryetar Sali Berishën.

“Unë, para pak ditësh kam dalë nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, edhe për faktin që kam qenë në një konflikt të hapur, sulme të hapura dhe brutale, disa prej të cilave kanë qenë publike dhe i kanë parë shqiptarët. E shikoja që këpuca nga të mitë, nga njerëzit me të cilët hyra me dashuri të madhe, nga një pjesë e tyre, po më rrinte në qafë. Ishte e pamundur. Kështu që zgjodha më mirë të vazhdoj si një naive e palatuar se sa të luftoj me djaj të organizuar”.

Po a do të kandidojë demokratja në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm?

“Do të mbetem opozitare, ndërsa për kandidimin është akoma shpejt, detyra ime është të bëj opozita deri në fund dhe të përpiqem të mos ushqej këtë konflikt që është aty prezente dhe të merrem me kundërshtarin drejtpërdrejt, por këtë nuk e bëj dot nëse nuk sqaroj pozicionin tim nën këtë trysni që më vjen nga të mitë dhe është një gjë e trishtueshme”, u përgjigj Açka, që shprehu më tej keqardhje për situatën aktuale të opozitës.

“Nuk është se po qahem, pse e gjitha kjo ka ndodhur, por kam keqardhje që lidershipi i opozitës dhe PD-së nuk po e kupton se ne nuk e kemi luksin për të humbur asnjë, qoftë një demokrat të thjeshtë, qoftë dikush tjetër që mund të ketë qasje publike”.



AlbaniaWeb.net