Sun, Nov 24, 2024

Aktorë të huaj po ndikojnë në zgjedhje? Zbulimi i Inteligjencës Amerikane: Fshehin dorën pas…

  • PublishedJuly 30, 2024

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ka thënë të martën se “aktorë të huaj” janë duke kryer dhe planifikuar “operacione ndikimi”, për t’i shënjestruar zgjedhjet e nëntorit, duke përdorur taktika për “fshehje më të mirë të dorës”.

Aktorë të huaj u janë drejtuar kompanive komerciale, sikurse ato të marketingut dhe marrëdhënieve me publikun, për të shfrytëzuar ekspertizën e këtyre kompanive në komunikime, sofistikim teknik dhe aspekte tjera të komplikuara”, është thënë në raportin e përditësuar, të publikuar më 29 korrik.

Në raport përmendet që këto kompani “shpesh mund të operojnë në mënyrë më të shkathët dhe me më pak pengesa burokratike, sesa subjektet qeveritare”.

Komuniteti i inteligjencës amerikane pret që Rusia, Kina dhe Irani të vazhdojnë të tentojnë që të kenë ndikim në politikën amerikane “për të përfituar në të mirë të tyre dhe për të minuar demokracinë dhe vendin e Uashingtonit në botë”.

“Moska është duke shfrytëzuar kompani ruse për të formësuar opinion publik në Shtetet e Bashkuara, përfshirë operacionet që lidhen me zgjedhjet”, është përmendur mes tjerash në raport.

Inteligjenca amerikane e konsideron Rusinë si “kërcënimin kryesor për zgjedhjet amerikane” dhe beson që Moska është duke punuar që të mos vërehet.

Në raport është thënë edhe se Kina “ndoshta nuk planifikon të ndikojë” në zgjedhjet presidenciale, ndonëse mund të synojë “denigrimin e kandidatëve që i konsideron si të rrezikshëm për interesat e veta”.

Shtetasit amerikanë do të votojnë më 5 nëntor në zgjedhjet presidenciale.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është kandidat i republikanëve në këtë garë, derisa nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, pritet të shpallet kandidate e demokratëve.

Zgjedhjet do të mbahen edhe për 435 ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 34 prej 100 ulëseve të Senatit./ REL



AlbaniaWeb.net