E kërkojnë Partizani dhe Egnatia, Rroca vendos të ardhmen e tij
Eduart Rroca ishte kthyer në javët e fundit në një nga dëshirat e klubeve kryesore shqiptare për merkaton e verës. Mesfushori shqiptar kishte mbyllur kontratën me Istambulspor në Turqi dhe ishte tashmë një lojtar i lirë, duke vendosur vetë kësisoj se ku dëshironte të vazhdonte karrierën.
Pavarësisht interesimit të skuadrave si Partizani e Egnatia, Rroca ka kthyer mbrapsht ofertat e tyre, pasi ka vendosur që të qëndrojë përsëri në futbollin turk. Lojtari është zyrtarizuar si afrimi më i ri i Keçiorengyçy në kategorinë e dytë turke, duke iu bashkuar kësisoj një klubi në radhët e të cilit gjendet edhe Kristal Abazaj.
Mediat turke bëjnë të ditur se Rroca ka nënshkruar kontratë për një sezon, me të drejtën e rinovimit për një tjetër vit me klubin e Ankarasë që synon ngjitjen në elitë.