Hapen regjistrimet për kursin e Drejtorit Sportiv që nis në muajin shtator, ja kriteret që duhet të plotësoni për të marrë pjesë
Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë kursin e radhës për Drejtor Sportiv duke nisur nga muaji shtator. Ky kurs do të udhëhiqet nën drejtimin e specialistëve të Sektorit të Edukimit në FSHF dhe do të nisë më datë 2 shtator e pritet të përfundojë më 30 shtator 2024, duke zgjatur për rreth një muaj.
Drejtori Sportiv është një nga personat më të rëndësishëm në një klub futbolli, që kujdeset për menaxhimin e ekipit të tij, procesin e licencimit të futbollistit për të vijuar me teknikat e bilancit administrativ, organizimi i stadiumeve, licencimi i klubeve, administrimi i burimeve njerëzore, principet e komunikimit, marketingu dhe e drejta TV, rregullorja e lojës dhe kolegjiumet e arbitrave, analizat e një ndeshjeje futbolli, organizimi i sektorit të të rinjve, etj.
Kriteret për të fituar të drejtën për t’u pranuar në kursin për Drejtor Sportiv janë:
1. Duhet të jenë nënshtetas shqiptarë;
2. Mosha minimale 25 vjeç, e plotësuar në datën e afatit të aplikimit;
3. Mund të kryhet individualisht në qoftë se zotëron diplomën e Universitetit të Sporteve ose të Universitetit të Drejtësisë;
4. Shkresë përcjellëse nga Klubi ose Akademia që përfaqëson;
5. Kandidati duhet të jetë pajisur me çertifikatë shëndetësore lëshuar nga organi përkatës (e marrë brenda 3 muajve të fundit);
6. Dy fotografi pasaporte;
7. Fotokopje e ID ose e Pasaportës;
8. Numer kontakti
Kërkesa për regjistrim, duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën [email protected] , përmes postës së zakonshme në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pran sekretarisë në të njejtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 26.08.2024. Aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen.
Bëhet me dije për të gjithë personat që do të pranohen në këtë kurs se do të duhet të paguajnë një tarifë pjesëmarrjeje prej 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekësh. Për çdo informacion në lidhje me renditjen, aspektet logjistike dhe organizative të Kursit, kontaktoni Sekretarinë e Shkollës tek adresa e postës elektronike: [email protected] .