Shkëmbimi i pengjeve, familja e një komandanti të vrarë kritikon Gjermaninë për lirimin e ‘vrasësit të preferuar të Putinit’
Të afërmit e një ish komandanti të vrarë në një park të Berlinit nga vrasësi i dënuar rus Vadim Krasikov kanë thënë se lirimi i tij në shkëmbimin e të burgosurve të së enjtes ishte “lajm shkatërrimtar”.
Krasikov, i quajtur “vrasësi i preferuar i Putinit” në shtypin gjerman, po vuante një dënim të përjetshëm për vrasjen e Zelimkhan Khangoshvili, një ish-komandant rebel çeçen me origjinë gjeorgjiane, i cili luftoi kundër rusëve, në një park të Berlinit në gusht 2019.
“Nga njëra anë jemi të lumtur që dikujt i është shpëtuar jeta. Në të njëjtën kohë, ne jemi shumë të zhgënjyer që duket se nuk ka ligj”, tha familja e tij në një deklaratë të lëshuar nga avokatja e tyre, Inga Schulz.
“Askush nuk na pyeti për shkëmbimin. Fakti që kjo ndodhi tregon se opinionet e viktimave nuk janë të rëndësishme për autoritetet gjermane.”-tha e veja e Khangoshvilit, Manana Tsiatiyeva.
Vëllai i Khangoshvilit, Zurab, i tha gazetës Bild: “Kam humbur vëllain tim të dashur dhe vrasësi mund të përqafojë familjen e tij. Kjo dhemb.Sikur të na kishin pyetur. Do të isha dakord nëse do të kisha mësuar se disa të burgosur po liroheshin nga paraburgimi i Putinit.”
Qeveria ruse pranoi të premten se Krasikov, 58 vjeç, i përshkruar këtë vit nga Putin si një “patriot” që “likuidoi një bandit”, ishte një agjent në shërbim të FSB-së. Lirimi i tij ishte elementi kryesor i shkëmbimit të të burgosurve dhe erdhi vetëm pas disa muajsh presioni të SHBA-së mbi qeverinë gjermane, ndërsa Presidenti Biden u përpoq të lironte nga burgu reporterin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich dhe ish-marinsin Paul Whelan.
Kritikët në Gjermani thanë se qeveria ishte dorëzuar para shantazhit dhe kishte krijuar një precedent të rrezikshëm.
AlbaniaWeb.net