Përfitoi nga këmbimi i të burgosurve SHBA-Rusi, politikani opozitar rus Vladimir Kara-Murza zbulon detajet
Vladimir Kara-Murza, politikan opozitar rus, fitues i çmimit “Pulitzer”, u lirua si pjesë e shkëmbimit historik të të burgosurve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Duke folur pas këtij këmbimi, ai thotë se kur u zhvendos nga qelia e burgut në Siberi në një qendër paraburgimi në Moskë, mendoi se do t’a ekzekutonin.
I dënuar në Rusi me 25 vite burg, pasi kritikoi agresionin ndaj Ukrainës, zoti Kara-Murza thotë se ndryshimi më i madh midis një diktature dhe një demokracie është se në demokraci gjëja më e vlefshme është jeta njerëzore.
Kur kritiku i Kremlinit, Vladimir Kara-Murza u transferua papritur nga një burg në Siberi në një qendër paraburgimi në Moskë, ai mendoi se po e çonin atje për ta ekzekutuar.
Atij nuk iu tha se do të lirohej si pjesë e një shkëmbimi masiv të të burgosurve me Perëndimin, më i madhi që nga Lufta e Ftohtë.
“Një javë më parë isha në qelinë time të izolimit në Siberi. Natën që më morën nga qelia në Siberi për t’u transferuar në Moskë, gjatë përgatitjeve për këtë shkëmbim, në fakt isha i sigurt se po më çonin për t’u ekzekutuar. Kjo ishte ajo që mendoja”, tregon ai.
Fituesi i çmimit “Pulitzer” dhe një nga kritikët më të mëdhenj ndaj zotit Putin thotë se shkëmbime të tilla të burgosurish bëhen për shpëtimin e jetëve të njerëzve.
“Por për mua, ndryshimi më i madh midis një diktature dhe një demokracie është se në demokraci gjëja më e rëndësishme është jeta njerëzore, mbrojtja e jetës njerëzore dhe shpëtimi i jetës njerëzore. Dhe për ata njerëz që kritikojnë vendimet e qeverive demokratike, se pse angazhohen në këto shkëmbime të burgosurish me regjime autoritare si regjimi i Putinit, me respekt do t’i nxisja që të mos flasin por të mendojnë për shpëtimin e jetëve njerëzore”, thotë ai.
Kara-Murza është një ndër 16 të burgosurit që Rusia dhe aleati i saj Bjellorusia liruan të enjten, shumica e të cilëve ishin burgosur nën akuza të motivuara politikisht. Politikani i njohur i opozitës ruse u arrestua në vitin 2022 pasi kritikoi luftën në Ukrainë. Ai u dënua në vitin 2023 për tradhti si dhe disa akuza të tjera me 25 vjet burg. Po ashtu ai iu ka shpëtuar dy herë helmimeve, në vitin 2015 dhe 2017.
“Unë vetë jam helmuar dy herë nga një skuadër speciale ruse. Kështu ka ndodhur edhe me shumë të tjerë, figura të opozitës dhe kritikë të Kremlinit në Rusi. Dhe ne e dimë se këto sulme kanë ndodhur shumë përtej territorit rus, edhe në Britani. Kështu fjala ‘i sigurt’ nuk është një fjalë që ne si politikanë të opozitës ruse e kemi në fjalorin tonë.
Unë e dua vendin tim, mendoj se Rusia meriton të jetë një vend normal, modern, demokratik, nuk kam asnjë dyshim për këtë. Si historian, mendoj se do të vijë ajo ditë dhe unë do të bëj gjithçka që mundem, gjithçka në fuqinë time për t’u përpjekur ta afroj atë ditë pak më shumë”.
Pas marrëveshjes SHBA- Rusi për shkëmbimin e të burgosurve, në mesin e 24 individëve ishin gazetarë, disidentë politikë, spiunë të dyshuar, një haker kompjuterësh, një mashtrues dhe një i dënuar për vrasje.
Rusia liroi 16 individë, përfshirë gazetarin e “Wall Street Journal” Evan Gershkovich dhe ish-marinsin Paul Whelan. Të dy përballeshin me dënime të gjata në burg pasi u shpallën fajtorë për spiunazh në sistemin e politizuar ligjor të Rusisë, akuza të cilat qeveria amerikane i cilësoi si të pabaza.
Në mesin e të liruarve nga Moska është edhe gazetarja e Radio Evropës së Lirë Alsu Kurmasheva.
Prej të burgosurve që Rusia i mori në këmbim është Vadim Krasikov, i dënuar në Gjermani për vrasjen e një kryengritësi çeçen në një park në Berlin para dy vitesh, me gjasë me urdhrat e shërbimeve ruse të sigurimit. Në mesin e të burgosurve ishin edhe dy agjentë “të fjetur” të cilët ishin të burgosur në Slloveni, tre të dënuar nga autoritetet amerikane dhe dy nga Norvegjia dhe Polonia./ Zëri i Amerikës
AlbaniaWeb.net