Dronët zbulojnë ‘serën’ me kanabis në mes të pyllit në Lezhë, dy të arrestuar
Zbulohet një ‘serë’ me kubikë me kanabis në Ungrej të Lezhës, ndërsa në pranga kanë rënë 2 persona. Burime zyrtare nga policia e Lëzhës bënë me dije se u sekuestruan 3000 fidanë kanabis, të gatshëm për t’u kultivuar në tokë. Gjatë 4 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshëm të qarkut, u asgjësuan në total 849 fidanë narkotikë dhe u vunë në pranga 2 autorë të kësaj veprimtarie kriminale.
Skuadra policore të pajisura me dronë, të ngritura posaçërisht nga Policia e Lezhës, në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, me fokus parandalimin, konstatimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të tentativave për të kultivuar bimë narkotike, kanë vijuar kontrollet intensive në të gjithë territorin, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”.
Gjatë fazës së pestë të tij, në territorin e fshatit Ungrej, Lezhë, u gjetën në kubikë, të gatshëm për t’u kultivuar në tokë, rreth 3000 fidanë kanabisi, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.
Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–