Socialistët drejt fitores masive në Bashkinë Himarë, por jo në vetë Himarën
Vangjel Tavo ka gjasa do të jetë kryetari i ri i bashkisë së Himarës, por në qytezën e vogël bregdetare ku pritet të ketë zyrat për tre vitet e ardhshme, dukshëm ai ka humbur thellë. Ndërsa numërimi i votave për zgjedhjet e parakohshme për kryetar bashkie po i afrohet fundit në orët e para të mëngjesit të së hënës, rezultati paraprak është 59% të votave për Tavon dhe afro 41% për kanditatin e opozitës Petro Gjikuria. Dy kutitë e fundit për numërim i përkasin njësisë Himarë, ku Gjikuria po fiton me rezultatin 55 me 45, gjë që sugjeron se fitorja finale e Tavos mund të jetë më e ngushtë. Por kjo fitore duket se ka ardhur nga shtimi i votave për socialistët për njësinë e vogël malore të Horë Vranishtit si dhe fitores së konsiderueshme të Tavos në njësinë Lukovë.
Në Horë Vranisht, socialistët shtuan votat që kishin në zgjedhjet e vitit të kaluar si dhe duket se i morën edhe disa vota nga të paktat vota që pati marrë opozita në këtë njësi ndërsa në Lukovë, Gjikuria ka marrë më pak vota se sa pati marrë Beleri.
Në dy kutitë e fundit kanë mbetur pa numëruar 633 vota, të cilat janë të pamjaftueshme për të përmbysur rezultatin.