Si të Kujdeseni Për të Patur Kocka të Forta në Çdo Moshë
Kocka të forta dhe trup në formë janë dy elementë kryesorë të një jetese të shëndetshme.
Me kalimin e moshës, njeriu humbet gjithnjë e më shumë nga dendësia kockore.
Një gjë e tillë mund të nxisë ose përshpejtojë sëmundjen e osteoporozës e cila manifestohet me fraktura që më pas shkaktojnë paaftësi fizike tek njeriu.
Lajmi i mirë sipas ekspertëve të AgroWeb.org është se osteoporoza apo reumatizma nuk është një pjesë e pandashme e plakjes dhe nëpërmjet disa hapave të caktuar, njeriu mund të mbajë kockat të shëndetshme e të forta.
Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni gjithçka ju nevojitet që të përkujdeseni për kockat pavarësisht moshës.
Kalçiumi dhe Vitamina D
Kalçiumi është shumë i rëndësishëm për kockat ndërsa vitamina D ndihmon në përthithjen maksimale të tij.
Këto ushqyes përbëjnë shtyllat kryesore të një skeleti të shëndetshëm e të fortë.
Ekspertët rekomandojnë që të rriturit të marrin 1,000 mg kalçium në ditë ndërsa gratë pas menopauzës duhet të marrin 1,200 mg kalçium në ditë.
Sa i përket vitaminës D, të rriturit kanë nevojë për 600 njësi ndërsa të moshuarit mbi 70 vjeç kanë nevojë për 800 njësi.
Ushqyerja e Duhur
Kalçiumi dhe vitamina D nuk janë të mjaftueshme për ruajtjen e shëndetit të kockave.
Roli i tyre plotësohet falë ushqyerjes së duhur me fruta, perime, arrorë, fara, yndyrna të shëndetshme e drithëra të plota.
Përpos tyre, ekspertët e AgroWeb.org rekomandojnë shmangien e ushqimeve të përpunuara dhe përzgjedhjen e sa më shumë drithërave të plota.
Këto të fundit janë shumë të pasur me ushqyes të dobishëm për kockat.
Sa i përket perimeve, rekomandohet që të zgjidhni nga të gjith ngjyrat, që nga barishtet e gjelbra deri tek specat e kuq.
Një regjim shumëngjyrësh garanton ushqyes të larmishëm për kockat.
Aktiviteti Fizik
Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm për shëndetin e kockave.
Ushtrimet më efikase janë ato që përfshijnë peshat por jo tepër të rënda.
Njerëzit që kanë pësuar fraktura duhet të shmangin kërcimin, ngjitjen e shkallëve, kërcimin e të tjerë./AgroWeb.org