Polemika/ Blendi Kajsiu: Humbja e opozitës justifikim ‘masakra elektorale’, analisti Andi Bushati kundër: Provokim intelektual! Po ai që vodhi, s’paska faj?!
Duket se kriza e PD-së dhe rezultati i saj humbës në zgjedhjet e 14 majit, ka ndarë edhe mendimet e analistëve. Teksa analisti Blendi Kajsiu e cilësoi një justifikim humbjen e opozitës në këto zgjedhje, ku ia faturon dështimin, maxhorancës, se kjo e fundit ka bërë masakër elektorale, ai shton se kjo gjë nuk bazohet te logjika.
“Nëse faktet nuk bien dakord me mua, aq më keq për faktet”, citon ndër të tjera Kajsiu, duke përmenduar kështu një citim të Georg Vilhelm Fridrih Hegel.
Ndërkohë, analisti Andi Bushati i ka dalë ‘kundër’ tezës së Kajsiut, ndërsa shtron pyetjen: “Po ai që vodhi, s’paska faj?”. Bushati e ka cilësuar analizën e Kajsiut si provokim intelektual. Ndër të tjera Bushati thekson se ai ka votuar pro Lëvizjes Bashkë, të Arlind Qorit.
ANALIZA E BLENDI KAJSIUT
Boll me “masakrën elektorale”!
Idea se opozita humbi sepse pushteti socialist zhvilloi një tjetër masakër elektorale është justifikim por jo shpjegim i humbjes së saj. Është një justifikim i keq sepse bazohet tek llogjika hegeliane sipas së cilës “nëse faktet nuk bien dakod me mua, aq më keq për faktet”.
Në rastin konkret, faktet e hedhin poshtë të gjithë fabulën e maskarës elektorale thjesht me evidencën e bojkotit: opozita humbi sepse elektorati i saj e bojkoti. Rreth 730 mijë votues nuk dolën të votojnë në zgjedhjet e fundit lokale (shiko analizën e Zaloshnjes). Sikur opozita të kish mobilizuar më pak se gjysmën e tyre, pra rreth 300 mijë, ajo do e kish shpërthyer “regjimin Rama”. Ky fakt i thjeshtë pranohet edhe nga vetë Berisha që bëri thirrje për votimin e detyruar.
Nëse pranojmë këtë fakt, atëherë bien të gjitha pretendimet e “masakrës elektorale”, që nga vjedhja e votës, vjedhja e logos së PD-së, heqja e Berishës nga fleta e votimit, përdorimi i administratës apo manipulimi dhe kontrolli i KQZ-së apo KAS-it. Asnjë nga këta faktorë, edhe sikur të gjithë të ishin të vërtetë, nuk është aq përcaktues i rezultatit elektoral sa bojkoti.
Të kuptohemi, nuk po them se Partia Socialiste nuk abuzon me makinerinë e saj elektorale. Ka përdorim të administratës publike, presione, përdorim të fondove publike, përdorim të patronazhistëve si dhe klientelizëm të pastër. Ama e gjithë “masakra elektorale” socialiste përqëndrohet tek nxjerrja me hir e me pahir e elektoratit të saj gjithnjë e më të pakënaqur. Ndaj ajo shpjegon se përse socialistët marrin të njëjtat vota, por nuk shpjegon se përse vota e opozitës bie, çka është thelbi i katastrofës elektorale opozitare sot.
I vetmi argument që mbetet është se Rama pagoi rreth 200 – 300 mijë votues opozitarë që të mos dilnin në votime. E thënë ndryshe Rama nuk bleu vetëm elektoratin socialist por edhe atë demokrat! Le të lëmë mënjanë për momentin dimensionin ofendues të këtij argumenti që akuzon votuesit opozitar në Tiranë, Durrës, Elbasan apo Shkodër se nuk dolën në votime sepse janë shitur, dmth janë korruptuar politikisht. Aq më tepër kur del nga goja e dyshes Berisha-Meta që e kanë pagëzuar korrupsionin politik në Shqipëri.
Problemi llogjik me argumentin e mësipërm është se Edi Rama dhe partia Socialiste nuk kishin aspak nevojë ta paguanin votuesin e djathtë që të mos dilte në votime. Këtë punë e bëri me efikasitet vetë opozita politike, qoftë PD-ja zyrtare që ende nuk di se çfarë përfaqëson, qoftë dyshja Berisha-Meta që refuzohet nga shumica dërrmuese e elektoratit gri. PD-ja zyrtare si pasojë e mediokritetit dhe meskinitetit politik të një pjese të lidershipit të saj nuk arriti të nxirrte kandidat në shumicën e bashkive. Ndërkohë që fushata dinjitoze e Roland Bejkos në Tiranë u sabotua jo vetëm nga pushteti dhe berishizmi por edhe nga vetë kryesia e partisë së tij. Një parti që nuk nxjerr në zgjedhje as antarët e kryesisë nuk mund të mobilizojë elektoratin.
Nga ana tjetër, dyshja Berisha – Meta ka një pëlqyeshmëri neto (ata që i pëlqejnë minus ata që nuk i pëlqejnë) thellësisht negative që në mungesë të alternativave politike përkthehet në bojkot elektoral. Sipas të gjitha sondazheve serioze Berisha ka një pëlqyeshmëri negative që vërtitet midis -40% dhe -50%, ndërsa Meta e ka pëlqyeshëmrinë negative gati -80%.
Ky fakt i kombinuar me nivelin e lartë të njohjes që këta dy politikanë kanë në elektorat (name recognition në anglisht) do të thotë se elektorati shqiptar e ka ndarë mendjen për ta. Pra pëlqyeshmëria negative në këtë rast është një opinion i konsoliduar dhe jo produkt i mos-njohjes apo i njohjes së pakët të politikanëve (siç është rasti i Alibeaj, Roland Bejkos apo Arlind Qorrit).
E thënë thjesht, elektorati shqiptar e njeh mirë si Berishën edhe Metën dhe në shumicën dërrmuese ka një opinion negativ të konsoliduar për ta që vështirë se ndryshon. Në rastin e Berishës pëlqyeshmëria e tij neto negative është evidentuar që në fushatën elektorale të vitit 2005 në sondazhet brendëshme të PD-së që zhvilloheshin nga kompania amerikane BG&R (në atë kohë kam qenë pranë ekipit elektoral të PD-së).
Pikërisht për këtë arësye strategjia elektorale e PD-së në vitin 2005 ishte ta mbështillte Berishën me KOP-in. Në mungesë të KOP-it, Bashës, apo ndonjë tjetër ambalazhi politik që e zbut imazhin e tyre negativ në elektorat, Berisha dhe Meta dekurajojnë shumicën e elektoratit opozitar dhe atij gri.
Në këtë pikë berishistët do më akuzojnë se sondazhet që po citoj janë blerë nga Edi Rama, bashkë me autorin e këtyre rradhëve. Se teoritë që po përdor mbi pëlqyeshmërinë neto në kuadrin e njohjes së konsoliduar elektorale (name recognition) janë broçkulla ramiste që i shërbejnë “regjimit”.
E megjithatë ka një fakt të pamohueshëm të refuzimit elektoral të koalicionit Berisha/Meta: atë nuk e votojnë as mbrojtësit e tij publik më të zjarrtë. Nuk flas për gazetarët apo intelektualët e punësuar nga familjet Berisha dhe Meta, sepse ata janë blerë për të thënë që vota është shitur. E kam fjalën për gazetarë serioz si kolegu Andi Bushati apo intelektuali Fatos Lubonja integritetin e të cilëve askush nuk e vë në dyshim, madje as kundërshtarët e tyre më të thekur. Të dy kanë deklaruar publikisht dhe në mënyrë transparente se nuk do të votojnë për koalicionin Berisha-Meta por për Lëvizjen Bashkë dhe kandidatin e saj Arlind Qorri.
Nëse edhe mbrojtësit më të mëdhenj të “opozitës së vërtetë” Berisha/Meta nuk i votojnë ata sepse nuk i lënë skrupujt moral dhe politik, atëherë përse është çudi kur elektorati opozitar ndjek shembullin e tyre? A ka sens ta quajmë këtë elektorat të korruptuar, të shitur, apo të blerë, sepse refuzon të votojë Ilir Metën? A është çudi që humb një opozitë e cila jo vetëm e injoron por edhe e denoncon elektoratin e saj si të korruptuar?
ANALIZA E ANDI BUSHATIT
Replikë me Kajsiun: Po ai që vodhi, s’paska faj?
Në një shkrim të botuar dje në Lapsi.al, Blendi Kajsiu më hidhte dorashkën e një provokimi intelektual duke shtruar pyetjen: Pse kur Andi Bushati ka skrupuj moralë dhe politikë që të votojë pro Berishës dhe Metës, këto s’duhet ti ketë elektorati opozitar. Duke ngritur këtë dilemë, që kishte për bazë deklarimin tim publik pro lëvizjes Bashkë dhe Arlind Qorit, ai mëtonte të arsyetonte se ka qenë refuzimi masiv i zgjedhësve dhe jo perfeksionimi i makinerisë manipulative, ai që përcaktoi rezutatin e “Bashkë fitojmë”, në garën e fundit.
Mund ta kisha anashkaluar gjetjen e personalizuar të përdorimit tim si lakmues që shpjegon një fenomen elektoral. Mund të kisha injoruar gjithashtu një version të ndryshëm të një refereni të përëritur: “gjithmonë fajin e ka Saliu”. Por së pari, duke menduar se Kajsiu është një zë, argumentat e të cilit peshojnë në debatin publik dhe së dyti, sepse si i tillë ai i jep kredibilitet trendit të këtyre ditëve, për ti përmbedhur zezonat e kësaj sfide vetëm te dy njerëz, besoj se ia vlen përveshja e mëngëve në një debat idesh. Natyrisht nuk dua të ndaloj në elementë anësorë si bestytnia e tij se Bejko bëri një fushatë dinjitoze dhe as te guximi për t’iu referuar statistikave të Zaloshnjës. Le të përqēndrohemi tek gjërat serioze.
Një e tillë është “akuza”: Bushati mbron publikisht kauzat e opozitës, por refuzon ta votojë atë. Përpara se ta shoh këtë si një kritike, unë e konsideroj si kompliment. Po, vërtet votova për Arlind Qorin. E bëra me bindje pasi mendoja se klithma e tij për më shumë barazi shoqërore, denoncimi ndaj sistemit oligarkik, që po i merr frymën këtij vendi, ishte më pranë optikës që unë kam për këtë realitet. Berisha dhe Meta janë shumë larg kësaj mendësie. Prandaj as sot, as prej kur kam pasur të drejtë vote, nuk e kam ushtruar atë në favor të tyre. I shoh si pjesë të këtij sistemi ndaj të cilit kam qenë prej vitesh kritik.
Ama, nga ana tjetër, besoj se është në nderin e çdo kujt që kërkon të angazhohet publikisht, e cilitdo që synon të jetë intelektualisht i ndershëm, të mbrojë të drejtat e atyre që nuk i voton, madje edhe të atyre që nuk i pëlqen apo i refuzon. Këtu ndahet njeriu që ka të mbrujtur sensin e së drejtës nga tifozi dhe militanti. Prandaj mendoj se në këtë pikë nuk ka paradoks, por koherencë.
Unë nuk kam qenë ndonjëherë mbështetës i Edi Ramës, por i kam dalë në krah atëherë kur Berisha dhe Basha i vodhën ato dhjetë vota në bashkinë e Tiranës. E bëj këtë sepse besoj se ligji dhe regullat e barabarta të lojës duhet të mbizotërojnë mbi pasionet tona. E bëj këtë sepse e di se kritika ndaj fuqisë së pushtetit dhe jo qëmtimi i argumentave që servir ai është rruga më e vështirë, por ajo e duhura.
Prandaj dhe në këtë fushatë, ndonëse nuk votoj, as Berishën dhe as Metën, ndryshe nga Kajsiu, nuk gjeja dot paqe pa bërtitur për vjedhjen masive që i’u bë. Jo vetëm vjedhje vote, por grabitje e të drejtave të opozitës reale që, sikurse tregoi 14 maji, atyre i’ua besuan, “ata pak”, qindra mijra shqiptarë.
Ndërsa Kajsiu kënaqet me konstatimin se shqiptarët e bojkotuan binomin e së shkuarës, mua më mundon dilema se si kemi degraduar deri në këtë pikë, që për të vazhduar të na sundojë, Ramës i duhet të vjedhë dhe dy “të marrë fund” si Meta dhe Berisha. Pse, kur qenkeshin kaq të mospëlqyer dhe të refuzuar, atyre i’u duhej rrëmbyer dhe vula dhe sigla dhe financimi publik dhe emri i Saliut nga fleta e votimit edhe komisionerët dhe numëruesit? Pse dhe gjykata, dhe KAS dhe KQZ folën me të njëjtën gjuhë si shefi i madh? A nuk duhet të na shqetësojë fakti se të gjitha institucionet e këtij shteti të kapur morën vendime pro një minorance dhe kundër asaj që votuesit njohën si opozitë?
Denoncim apo reflektim? Reagimet e Berishës dhe Këlliçit pas humbjes
Pse shteti u bë njësh me partinë në pushtet duke shpërndarë para pensione, paga bonuse? Pse patronazhistët bënin presion përpara qëndrave të votimit, mos vallë vetëm për të mposhtur dy personazhe që i kanë braktisur të gjithë? Pa dhënë këto përgjigje nuk mund të ketë debat, as mbi 14 majin dhe as mbi atë se kush është kush, në këtë skenë politike. Të mjaftohesh me konstatimin se Rama fitoi ngaqë populli refuzoi të shkuarën është në rastin më të mirë naive, ndërsa në më të keqin manipulative.
Po le të merremi pak dhe me bojkotin. A ka Kajsiu një përgjigje për raste të vërtetuara si ai i Elbasanit në 2021, kur përfaqësuesit e Taulant Ballës u kapën duke mbledhur kartat e identitetit në këmbim të parave, për të mos lënë kundërshtarët të shkonin në votimeve? A nuk tregon fakti se ata nuk u dënuan kurrë, se prokurori që gënjeu publikisht për këtë fakt, u gradua në SPAK, se Drejtori i madh i policisë mashtroi për të mbrojtur manipulatorët, se mekanizmi shtetëror e inkurajon këtë praktikë? Pse kur atyre që u kapën me preshë në duar, dy vite më parë, nuk u hyri gjemb në këmbë, madje në të kundërt, u ngritën në detyrë, të tjerë, nuk do jenë trimëruar për të shumfishuar shembullin e tyre?
A ka Kajsiu përgjigje për ato përgjimet e zbardhura të Dibrës ku hierarkët më të lartë socialistë, deputetë e sot kryebashkiakë, dëgjoheshin duke kërcënuar mësuesit, se po s’treguat votën pro PS-së, të hënën mos u paraqisni në punë. Askush prej tyre nuk është ndëshkuar, por janë rizgjedhur edhe në 14 maj. A nuk është ky mesazh: “vazhdoni tërmetin” çuna? E pra, në një vend ku shantazhi ndaj zgjedhësve apo blerja e abstenimit të tyre, nuk quhen turp dhe krim, por promovohen, të bësh sikur nuk i sheh ato është intelektualisht e pandershme.
Fabulën e bojkotit e bën të dyshimtë edhe një argument tjetër, ndoshta më skandalozi i këtyre zgjedhjeve. Kajsiu argumenton se ata që janë kundër pushtetit qëndruan në shtëpi, ose se nuk donin Saliun dhe Liken, ose se nuk i njihnin mjaftushëm Qorin dhe Bejkon. Po atëhere si shpjegohet që gati afro 100 mijë shqiptarë votuan pro Tom Doshit? Çfarë duhet të themi për PSD-në që doli në disa qytete forcë e parë, ndonëse u shfaq vetëm 19 minuta gjatë fushatës në të gjitha TV-të të marra sëbashku? Si u trefishua kjo forcë pa asnjë ide, program apo vizion për të ardhmen? Si shpjegohet që në Shkodër, Lezhë, Pukë, Vaun e Dejës, Durrës, Elbasan, Vorë votat u mblodhën nga personazhe “non grata”, kur argumentohet se Berisha u ndëshkua edhe për këtë?
Në këto zgjedhje ka pasur manipulim, shtrembërim dhe para të madhe. Nuk u çorodit më kot edhe kursi i monedhës europiane. Nuk u detyrua më kot edhe Banka e Shqipërisë të gënjente për arsyet e luhatjes së euros. Kjo është e vërteta e hidhur e asaj që ndodhi në 14 maj, që nuk është asgjë më shumë sesa perfeksionim industrial i grabitjeve të shkuara të votës.
Përpos këtyre që na ndajnë ka një pikë ku unë bie tërësisht dakord me Blendi Kajsiun. Po, kjo opozitë është e konsumuar. Po, ajo njësoj si rilindja, e ka humbur sensin për ti folur shoqërisë, aftësinë për tu hapur ndaj të resë dhe ndershmërinë për të shpënë gishtin deri në fund të plagës. Si e tillë ajo nuk përbën alternative dhe nuk frymëzon për të ngritur mbi 1 milionë njerëz që do ta shembnin këtë regjim.
Por është tjetër gjë të ëndërrosh për të ardhmen (E këtu unë riskoj duke mbështetur Arlind Qorin) dhe tjetër gjë të mbash qëndrim për të sotmen.
Realiteti i trishtë i të tashmes është se Edi Rama ka banditizuar gjithë shtetin për të mundur dy coftësina si Likja dhe Sala. Duhet pohuar pa ngurim se ata ishin të paaftë për të ndaluar dhunën fashiste të rilindjes. Nuk e bënë dot këtë herë dhe me siguri nuk do ta bëjnë sot as në 2025. U ka mbaruar lënda për të inspiruar dhe i’u janë plakur muskujt për të rezistuar. Si të tillë janë të pashpresë.
Pikërisht për këto arsye unë i kam ulur dozat e kritikës ndaj tyre, gjë që s’kam nguruar ta bëj me forcë kur qenë të fuqishëm. Mbi këtë e ftoj modesisht për reflektim dhe Blendi Kajsiun. Angazhimi qytetar dhe ndërshmëria intelektuale ia kërkon ta zhvendosë këndin e kamerës së tij, ta përmbysë raportin e shkrimeve ku dhjetë janë kritikë me një opozitë të pashpresë dhe 1 me një qeveri që na sundon.
Kanë bërë ç’skanë bërë, Berisha dhe Meta janë e djeshmja, ne nuk duhet ti harojmë, por as ti potenciojmë bëmat e tyre si kamuflazh për të sotmen. Ky është edhe thelbi i kësaj polemike: duke vënë theksin te fakti se sa vetë e bojkotuan Berishëm anashkalohet pyetja se sa zgjedhës manipuloi Rama. Unë do vazhdoj të kërkoj të dytën, i bindur se duke denoncuar një pushtet që vjedh, nuk mbrohet vetëm Saliu, por edhe Arlind Qorri apo Endri Shabani, që morën të dy bashkë në Tiranë gati aq vota sa Tom Doshi. Apo mos vallë dhe ata janë e shkuara dhe PSD-ja, që u shit me para në dorë, është partia e së ardhmes?
Vetëm kështu, vetëm duke ngritur zërin edhe për të drejtat e atyre që, as nuk i votojmë as nuk i pëlqejmë, ne militojmë për të ruajtur regullat e lojës për alernativat e së ardhmes. Prandaj sado paradoksale që të duket, të kundërshtosh padrejtësinë që i bëhet Berishës sot do të thotë të sigurosh hapsirën e nevojshme edhe për ata që do e zëvendësojnë atë nesër. Do të thotë, më shumë mundësi për forcat që po përgatiten të hyjnë në skenë, madje më shumë hapsirë lirie edhe per mua apo për Kajsiun.
Ndërsa, nga ana tjetër, duke relativizuar vjedhjen ngaqë s’honepsim dot Saliun ne s’bëjmë gjë tjetër veçse i shërbejmë kleptokracisë. Unë vazhdoj të jem i bindur se Blendi Kajsiu nuk e do këte, prandaj dhe iu përgjigja kaq gjatë.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–