Thu, Nov 28, 2024

Buzëqesh Sylvinho, sulmuesit kuqezi shkëlqejnë në Evropë, ideohet tredhëmbëshi i ri në Ligën e Kombeve (VIDEO)

  • PublishedAugust 13, 2024

Në pritje për të startuar Ligat e rëndësishme Evropiane, ku aktivizohen një pjesë e madhe e futbollistëve shqiptar, ky fillim sezoni po sheh si protagonistë disa nga sulmuesit kuqezi. Në formë të shkëlqyer është shfaqur Arbër Hoxha, ku me Dinamo Zagreb ka realizuar 2 gola në 2 ndeshjet e para.

Një formë shumë të mirë ka shfaqur edhe Mirlind Daku, me “bomberin” kuqezi që në katër ndeshjet e para në Rusi ka realizuar 3 gola dhe ka dhuruar 2 assiste. Daku u zgjodh si lojtari më i mirë i javës së katërt në Rusi.

Më në fund, edhe Jasir Asani është rikthyer si protagonist me ekipin e tij në Korenë e Jugut. “Sallaksi” shqiptar realizoi një gol shumë të bukur në fundjavën që lamë pas, për të ky ishte goli i parë sezonal. Ashtu si Daku, edhe Asani u vlerësua si lojtari i ndeshjes.

Forma e 3 sulmuesve kuqezi është një lajm fantastik për Sylvinho, ku me shumë mundësi, Hoxha-Daku-Asani pritet të jetë edhe tredhëmbëshi i Shqipërisë në startin e Ligës së Kombeve, në dy sfidat e para kundër Ukrainës me 7 shtator, dhe kundër Gjeorgjisë tre ditë më pas.

()

AlbaniaWeb.net