Tue, Nov 26, 2024

Sezoni i ri / FSHF në bashkëpunim me UEFA organizon seminarin me delegatët e ndeshjeve

  • PublishedAugust 13, 2024

Në kuadër të fillimit të sezonit të ri futbollistik, Departamenti i Garave në FSHF, në bashkëpunim me UEFA-n, zhvilloi një seminar për delegatët e ndeshjeve të të gjitha kategorive, ku ishte i ftuar si lektor zyrtari i UEFA-s, Jeremy Mallétroit, i cili është supervizor i shërbimit të ndeshjeve në qeverinë e futbollit europian.

Seminari u hap me një fjalë përshëndetëse nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Envi Hicka, ndërsa punimet e tij u ndoqën nga drejtori i Departamentit të Garave, Marjus Sulejmani dhe Drejtori Ekzekutiv i FSHF, Aldi Topçiu.

Jeremy Mallétroit prezantoi pikat e rëndësishme të manualit të punës së një delegati, duke filluar nga marrja e kontaktit me klubet disa ditë përpara zhvillimit të ndeshjes deri në përfundim dhe plotësimin e raportit nga vetë delegati, përditësimet e vlefshme për sezonin e ri futbollistik dhe ndau eksperiencën e tij të punës me delegatët pjesëmarrës.

Gjatë seminarit, Mallétroit i dha një rëndësi të veçantë shpjegimit të hartimit të raportit pas ndeshjes për delegatët e rinj dhe ideoi punë në grup mes pjesëmarrësve, duke nxitur diskutime interaktive dhe shkëmbim eksperiencash.

Pikat më të rëndësishme ku u fokusuan diskutimet e seminarit ishin krizat e menaxhimit gjatë ndeshjeve, ndërprerja e ndeshjeve, rastet e dhunës në stadium, dhunimi i zyrtarëve të ndeshjes, plotësimi i raportit final të ndeshjes, komunikimi me klubet disa ditë përpara zhvillimit të ndeshjes si edhe takimet zyrtare me klubet ditën e zhvillimit të ndeshjes.

Ky seminar i zhvilluar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe UEFA, synon të rrisë kualifikimin e delegatëve, duke sjellë praktika ndërkombëtare në organizimin dhe menaxhimin e një ndeshjeje futbolli, nxitur edhe nga rritja e vazhdueshme e cilësisë së futbollit në Shqipëri dhe organizimi i shumë aktiviteteve futbollistike të nivelit të lartë.

AlbaniaWeb.net