Mon, Nov 25, 2024

Pritej të ekstradohej, Dubai liron të shumëkërkuarin e Shqipërisë, Durim Bamin

  • PublishedAugust 13, 2024

Një prej persona më të kërkuar në vendin tonë, Durim Bami, i cili u arrestua në qershor në Dubai, tashmë është lënë i lirë.

Lajmi konfirmohet nga gazetarja e AlbaniaWeb.net Dorjana Bezat.

Bami u mbajt për rreth 40 ditë, sipas periudhës së parashikuar për paraburgimin nga autoritetet vendase, e më pas Gjykata ka vendosur ta lërë të lirë, duke mos e ekstraduar drejt vendit tonë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi më datë 15.05.2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Sigurimi kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Anëtarët e grupeve kriminale kanë ofruar 1 milion euro për ‘kokën’ e Durim Bamit, ndërsa janë kërkuar vrasës me pagesë edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Pas megaoperacionit të SPAK, “Metamorfoza 2”, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste, për personat e botës së krimit në Shqipëri, dolën detaje nga dosja se si vepronin grupet kriminale për të eliminuar kundërshtarët.

Sipas informacioneve, Durim Bami kishte prishur balancat me krerët e grupeve, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Alekasndër Ndokës. Arben Ndoka mobilizoi asetet e tij pasurore dhe kontaktet e tij me personazhe të botës së krimit apo ligjit për ta eliminuar. Ka pasur atentate me eksploziv apo rasti kur po udhëtonte me “Range Rover”, ku ndiqej kudo që lëvizte, nga 16 persona.  U përdorën shumë mënyra për ta eliminuar Bamin, arritën deri aty sa të fusnin një “Helenë të Trojës”. Një vajzë që të hynte në shoqëri me të dhe të shërbente si informatore, por edhe në këtë rast nuk ia dolën, pasi atentati nuk u krye.

“Sot ne date 12.06.2024 eshte arrestuar ne Dubai me qellim ekstradimi drejt vendit tone shtetasi Durim Bami datelindja 29.10.1979 pasi Gjykata e Posaçme e Shkalles se Pare Kunder Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, me vendimin Nr.49 Date 15.05.2024, ka caktuar masen e sigurise “Arrest me burg”, per kete shtetas per veprat penale;“Sigurimi kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje”,

“Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndeve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet, 80, 284, 333/a dhe 334/1 te Kodit Penal. Vijon procedura per ekstradimin e ketij shtetasi drejt vendit tone”, sipas Policisë së Shtetit.



AlbaniaWeb.net