Wed, Nov 27, 2024

Deklaratat se BE-ja kundër hapjes së urës së Ibrit, reagon Lajçak: Janë mashtruese dhe kundër vullnetit të njerëzve të prekur

  • PublishedAugust 15, 2024

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë të mërkurën vonë që sugjerimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, ose që ka ndryshuar pozicion në këtë temë, janë mashtruese.

“Marrja e një vendimi kundër vullnetit të njerëzve të prekur, nuk kontribuon në normalizim marrëdhëniesh. Qeverisja e mirë e kupton ndjeshmërinë e minoriteteve”, ka thënë Lajçak, duke paralajmëruar që çështja e zbatimit të marrëveshjes për urën do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel, por pa përmendur ndonjë datë.

Kjo urë – që ndan Mitrovicën Jugore me shumicë shqiptare me Mitrovicën Veriore me shumicë serbe – është e hapur për këmbësorët, por jo për vetura.

Çështja e urës është aktualizuar në javët e fundit pasi autoritetet e Kosovës kanë nisur të kryejnë inspektime në urë dhe kanë paralajmëruar hapjen e saj, pavarësisht se faktori ndërkombëtar beson se tani nuk është koha e duhur.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 13 gusht se hapja e urës në këtë kohë rrezikon ushtarët amerikanë, andaj nuk duhet të hapet.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë, dhe që secili vendim për urën duhet të merret përmes dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga dialogu në Bruksel.

Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme në urë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryenegociator i Kosovës për dialogun në Bruksel, Besnik Bislimi, ka thënë të mërkurën se çështja e hapjes së urës mbi Ibër as “nuk është vendim i njëanshëm” i Qeverisë, e as “çështje e pazgjidhur e dialogut”.

“Një partner i QUINT-it shtoi edhe kërkesën për inspektime teknike. Ne ndoqëm dy rekomandimet. Tani BE-ja po e kërcënon Kosovën, nëse ajo e zbaton marrëveshjen e ndërmjetësuar nga vetë blloku dhe rekomandimet shtesë”, ka thënë Bislimi përmes një postimi në X.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka pretenduar të mërkurën se Kurti dhe Bislimi “duan vetëm konflikte të reja” dhe që nuk janë të interesuar në marrëveshje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë, po ashtu, të mërkurën se do t’i vazhdojë konsultimet me partnerët ndërkombëtarë për hapjen e kësaj ure.

Kjo deklaratë është mirëpritur për njohësve të çështjeve politike.



AlbaniaWeb.net