Wed, Nov 27, 2024

Vrasja e 89-vjeçarit nga polici në oborrin e sallës së dasmave në Ferizaj, publikohen fotot e autorit dhe viktimës

  • PublishedAugust 17, 2024

Vrasjen dyshohet se autori e ka kryer me armën zyrtare por ende nuk dihet asnjë motiv lidhur me ngjarjen.

Lidhur me rastin detaje ka dhënë Inspektorati Policor i Kosovës.  Bazuar në informacionet fillestare, IPK thotë se dyshimet janë se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë .

“I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. I dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IPK’së.

Majori Qazim Reka në një deklaratë për media ka treguar detaje të reja lidhur me rastin, duke shtuar se polici nuk ishte në detyrë në kohën kur kreu vrasjen. Ai para gazetarëve ka bërë me dije se polici nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar, duke shtuar se motivet ende nuk dihen.

“Polici nuk ka qenë në detyrë zyrtarë, jashtë detyrës zyrtare, ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile ka kryer veprën në vendin e ngjarjes këtu para këtij lokali. Vrasja është kryer me armë zyrtare. Zyrtari policor është F.R dhe viktima është S.S….Motivet nuk dihen ende. Nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar”, tha Reka.

Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Ferizajt. Në njoftimin e prokurorisë thuhet se i dyshuari në këtë rast sipas informatave të para dyshohet se është zyrtar policor dhe i njëjti me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë”.