Thiago Motta-s i “ngrin” buzëqeshja, Juve humbet menjëherë dy titullarë, Thuram e Weah “parkojnë” në infermieri
Në shtëpinë e “Zonjës së Vjetër” ka entuziazëm pas fitores së pastër 3-0 përballë Como-s, një sukses me lojë dhe rezultat, por kjo fitore është shoqëruar me një kosto shumë të lartë. Thiago Motta duhet të bëjë menjëherë llogaritë me dy mungesa shumë të rëndësishme pasi Thuram dhe Weah janë të detyruar të “parkojnë” në infermieri.
Të dy lojtarët dolën të dëmtuar nga sfida kundër Como-s, ndërsa ekzaminimet e parë kanë treguar se bëhet fjalë për tërheqje muskulore. Sulmuesi francez ka pësuar një tërheqje muskulore në bicepsin femoral të kofshës së majtë, ndërsa Weah tërheqje në kofshën e djathtë.
Të dy lojtarët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të tjera pas 10 ditësh, por sipas të gjithë gjasave priten të kthehen në mesin e muajit shtator, për sfidën kundër Empolit, pas Ligës së Kombeve. E sigurt është se të dy titullarët nuk do të jenë në dispozicion të Thiago Motta-s për dy ndeshjet e radhës kundër Veronas në transfertë dhe kundër Romës në “Stadium”.
Në të njëjtën kohë drejtuesit e Zonjës s Vjetër vijojnë punën për të përforcuar ekipin. Guintoli kërkon të mbyll sa më shpejt transferimin e Nico Gonzales. Për Fiorentinën parashikohen para kesh plus kartonin e Arthur.
Këtë të mërkurë në Torino ka zbarkuar edhe Pierre Kalulu. Ish lojtari i Milan do të zhvillojë vizitat mjekësore për të firmosur më pas një kontratë deri në 2029.
()