Gjykata caktoi masë sigurie me burg për 6 emigrantë që akuzohen se qëlluan policinë
Gjashtë emigrantë të arrestuar të premten, 26 maj, në kufirin e gjelbër mes Shqipërisë dhe Kosovës hynë të dielën në gjykatën e Kukësit duke protestuar dhe thirrur “Allahu ekber” dhe “Down with the mafia” (Poshtë mafia). Ata kundërshtojnë arrestimin e tyre dhe akuzën e tentativës për të vrarë punonjës të policisë së shtetit dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa pretendojnë një tjetër grup nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, ndryshe MENA, ka qëlluar mbi policinë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjishëm Kukës, ka kërkuar masë sigurimi “arrest në burg” për gjashtë të dyshuarit. Konkretisht: Ayoub Bahhoo, me shtetësi algjeriane, si dhe Muhaned Nasir, 25 vjeç, Nagid Alabdahah, 20 vjeç, Muhamed Shehab, 21 vjeç, Mohamed Radaëin, 20 vjeç nga Siria dhe Rabii Lqadi, 40 vjeç nga Maroku. Ndërohë avokatja e gatshme e caktuar kryesisht nga shteti Aurora Guska ka kërkuar lirimin e tre prej të dyshuarve dhe për tre të tjerë burgim me afat 1 mujor.
Gjyqtari Aulon Pashaj në vendimin e tij duket se mori pjesërisht në konsideratë kërkesën e mbrojtjes duke dhënë si masë sigurie “arrest me burg me afat tre mujor” për gjashtë të dyshuarit. Ata akuzohen nga ana e prokurorisë për “vrasje të mbetur në tentativë të punonjësve të Policisë së Shtetit”, armëmbajtje pa leje si dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të neneve 79/b, 278/3 dhe 298/3 të Kodit Penal.
Pas seancës Guska tha se të mbrojturit prej saj pretenduan të ishin viktima të një sulmi nga një grup tjetër personash po nga vendet MENA. “Ne kemi ikur nga lufta në Siri, nuk kemi ardhur të bëjmë luftë në vendin tuaj”, mësohet të kenë thënë emigrantët e arrestuar nga Siria. Tre prej tyre, siç tha Guska, kishin vetëm tre ditë që kishin ardhur në Shqipëri nga Greqia.
Avokatja tha se ata kanë dhënë emrin e një personi nga Algjeria që i ka grabitur nën kërcënimin e armëve dhe pretenduan se kur janë arrestuar kishin vetëm rrobat e trupit. Guska tha se të arrestuarit nuk ishin personat që i kishin qëlluar policisë. “Emigrantët e arrestuar janë shtegtarë. Nuk janë ata personat që kanë gjuajtur. Tre të tjerë që nuk janë kapur, janë ato që kanë hapur zjarr ndaj policisë. Emrat e tyre dihen. Këtyre (të arrestuarve) nuk u është gjetur armë, por pritet ekspertiza për gjurmët e barutit”, shprehet avokatja Aurora Guska.
Sipas avokates, dy prej të arrestuarve flisnin dhe kuptonin shqip pasi kanë qenë të dënuar nga Gjykata e Kosovës me 14 muaj burg dhe pas përfundimit të burgut janë dëbuar, por janë kthyer sërish. Ndërkohë që shtetasi maroken Rabii Lqadi kishte kërkuar azil në Kosovë, por autoritetet e këtij vendi nuk e kishin pranuar.
Policia e Kukësit njoftoi të premten se kishte arrestuar në bashkëpunim me policinë e Kosovës një grup të strukturuar kriminal të përbërë nga shtetas sirianë dhe algjerianë, që organizonin trafikimin e emigrantëve të vendeve të treta nga Greqia në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian. Sipas njoftimit të policisë së Kukësit, personat e arrestuar kishin hapur zjarr ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.
Edhe sipas Nexhmi Krasniqit, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kufirit Perëndimi –Gjakovë, thotë se grupi i të arrestuarve është pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal që nga Siria-Maroku-Turqia-Greqia-Shqipëria e Kosova, ku kryetrafikantët janë sirianët e marokenët. “Situata është serioze, nuk është shaka,” deklaroi për “BIRN” Nexhmi Krasniqi.
Ky është rasti i tretë që në pak muaj në kufirin Shqipëri-Kosovë, apo afër tij, është hapur zjarr me armë nga emigrantë, por edhe nga punonjës të policisë.
Një emigrant nga Egjipti mbeti i plagosur rëndë me datë 5 dhjetor të vitit kaluar në Kukës gjatë një aksioni policie. Ndërsa në qershor të vitit 2022, në kufirin e gjelbër Shqipëri-Kosovë në Vermicë mbeti i vrarë një emigrant nga Lindja e Mesme, ndërsa një i dytë u plagos si pasojë e përplasjes mes dy grupeve. Shqipëria dhe Kosova prej vitesh vazhdojnë të jenë rrugë kalimi për emigrantët e paligjshëm kryesisht të Lindjes së Mesme, të cilët synojnë vendet e Evropës Perëndimore.