Dita e fundit e Kuvendit Kombëtar të Demokratëve, Kamala Harris në qendër të vëmendjes, ja tre objektivat e fjalimit të saj
Nënpresidentja Kamala Harris do të pranojë të enjten në mbrëmje zyrtarisht emërimin historik si kandidate e Partisë Demokrate në ditën e fundit të Kuvendit Kombëtar.
Fjalimi i jep asaj një nga mundësitë e pakta të mbetura deri në zgjedhje për të shpalosur vizionin për vendin para një audience prej miliona amerikanësh dhe për të argumentuar se pse duhet të votojnë për të, duke vënë në shënjestër rivalin e saj republikan Donald Trump.
Pranimi i emërimit nga zonja Harris është pika kulmore e një muaji të pazakontë në politikën amerikane, që kur Presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara për një mandat të dytë.
Sipas një zyrtari të fushatës që foli me kusht që të mos identifikohej, zonja Harris ka tre objektiva për fjalimin e saj. Ajo do të tregojë historinë e ngritjes së saj nga fëmijë e një familjeje e klasës së mesme tek posti i prokurores në mbrojtje të të tjerëve; ajo do të flasë gjithashtu për kontrastin mes vizionit të saj “optimist” dhe atij të zotit Trump që ajo e konsideron “negativ”; si edhe do të përcjellë një ndjenjë patriotizmi.
Nënpresidentja foli shkurtimisht në Kuvend të hënën, kur falënderoi zotin Biden dhe ngriti lart arritjet e tij si president, dhe përsëri të martën, kur një pjesë e një tubimi të saj në Miluoki të Viskonsinit, u transmetua në sallën e Kuvendit.
Personazhe të tjerë që do të flasin të enjten janë Guvernatorja e Miçiganit Gretchen Whitmer, Guvernatori i Karolinës së Veriut Roy Cooper, udhëheqësi i të drejtave civile Al Sharpton dhe Presidenteja e Federatës Amerikane të Arsimtarëve, Randi Weingarten.
Harris është gruaja e parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë nga Azia Jugore që pranon emërimin si kandidate për presidente e një partie të madhe.
Ajo flet një ditë pasi guvernatori i Minesotës, Tim Walz pranoi emërimin si kandidat për nënpresident. Shumë amerikanë nuk e njihnin zotin Walz përpara se zonja Harris ta zgjidhte si kandidat, prandaj fjalimi i tij ishte një mundësi për t’u prezantuar para tyre.
Ai e vuri theksin tek përvoja si trajner futbolli, shërbimin në Gardën Kombëtare dhe vështirësitë e familjes së tij për të pasur fëmijë.
Zoti Walz sjell në garë përvojën jetësore të dikujt nga pjesa qendrore e Amerikës dhe demokratët shpresojnë që ai të bëjë për vete votuesit nga ajo pjesë e vendit, që mund të identifikohen me të.
AlbaniaWeb.net