Pritshmëritë e ekstradimit të britanikëve në Shqipëri, nesër vendimi i gjyqtarit Daniel Sternberg
Ata do të jenë përsëri bashkë paraditen e të martës në kafazin e qelqtë të gjykatës së Londrës. Njësoj siç erdhën në prill 2023, për të mbajtur në vëzhgim e më pas ekzekutuar më 19 prill 2023 biznesmenin Ardian Nikulaj.
Ora 10:00 e të martës do të gjejë përpara gjykatësit Daniel Sternberg, Edmond Haxhinë, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman.
Pas më shumë se një viti nga arrestimi dhe një procesi gjyqësor maratonë, ata do mësojnë nëse do të ekstradohen apo jo në Shqipëri.
Drejtësia shqiptare e kërkon shqiptarin me pasaportë britanike Edmond Haxhia si njeriun, i cili mbërriti shkurtin e 2023 me sebepin e fejesës por në fakt vuri në veprim planin e vrasjes së Ardian Nikulajt.
Ndërsa për Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simposon dhe Harriet Bridgeman, Prokuroria e Lezhës thotë se ka prova filmike dhe shkencore të pakundërshtueshme se ata u përfshinë në survejimin e viktimës.
Informacionet e tyre për lëvizjen e Ardian Nikulajt në ambientet e restorantit Coral ishin vendimtare në realizimin e ekzekutimit të tij makabër me 6 plumba të qitura nga arma tip TT e Ruben Saraivës, i rekrutuar në Angli për të ndërmarrë vrasjen.
Menjëherë pas krimit, Saraiva është filmuar mbrëmjen e 19 prillit duke u larguar nga pika kufitare e Kapshticës në drejtim të Greqisë. Nga shteti fqinj ai u largua për në Marok, nga ku u arrestua dhe u ekstradua në Shqipëri më 31 dhjetor 2023.
Edmond Haxhia bashkë me Thomas MITHAN, Steven HUNT, Harry SIMPSON dhe Harriet BRIDGEMAN do të arrestoheshin në Angli në maj 2023 pas urdhër arresteve ndërkombëtare lëshuar nga gjykata e Lezhës.
Gazetari i AlbaniaWeb.net, Muhamed Veliu i cili ka ndjekur online këtë proces ekstradimi unik në llojin e tij, thotë se cilido të jetë vendimi, pro apo kundra ekstradimit të tyre palët do ta apelojnë në Gjykatën e Lartë “Royal Court of Justice” sikurse ka ndodhur në të shkuarën me të gjitha proceset e ekstradimit të shtetasve shqiptarë kapur në Britaninë e Madhe.
“Nëse nesër gjykata do të pranojë kërkesën ekstradimit të shtetit shqiptarë atëherë kjo do të jetë fitorja e parë në përpjekjet për të vënë para drejtësisë këta individë. Por vendimi final do të vijë nga Gjykata e Lartë Britanike. Në tilla kushte, nëse kjo gjykatë do të t’i thotë PO ekstradimit, atëherë të pestë personat e kërkuar për këtë vrasje, do të mund të përballen me drejtësinë shqiptare jo përpara dhjetorit 2024”, thotë gazetari Muhamed Veliu.
Sipas tij, kjo çështje ka edhe një karakter tjetër. Atë të zbatimit të reciprocitetit.
“Shqipëria ka një rekord të konsoliduar bashkëpunimi me autoritetet britanike si në parandalimin e emigracionit me gomone, po ashtu në luftën me krimin e organizuar. Në të shkuarën në katër raste kur drejtësia britanike ka kërkuar për llogari të hetimeve të atjeshme persona të kërkuar ata janë kapur në Shqipëri e ekstraduar në Britaninë e Madhe. Tani është radha e britanikëve në të dëshmuarin se janë partnerë të Shqipërisë e kur vjen puna për të tilla çështje është respektues i reciprocitetit aq më tepër kur katër britanik erdhën dhe u përfshinë në vrasje në vendin tonë”, thekson gazetari Muhamed Veliu.
Drejtësia shqiptare pret që vendimi të jetë në favor të ekstradimit pas një letër garancie nga kryeprokurori Lezhës Erion Shehaj dhe me firmë të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Letër garancia thekson se “Lidhur me garancinë pika 4 me të cilën kërkohet garanci për Edmond Haxhinë se nuk do të akuzohet për veprën penale të parashkruar nga neni 78/A, prokurorët e çështjes shprehen se me qëllim realizimin e procesit të ekstradimit dhe parashtrimin e çështjes përpara Gjykatës Britanike edhe në përputhje me legjislacionin Britanik, japim garanci/ pëlqim, se nëse do të vendoset ekstradimi i tij, akuza që do të formulohet apo ngrihet ndaj tij, do të jetë e ndryshme nga “vrasje për gjakmarrje”.
Në kodin penal sanksionohet se “vrasja me dashje për gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”. Shefi i akuzës së Lezhës i jep edhe një tjetër garanci gjykatës së ekstradimeve në Londër.
“Akuza nëse ndaj tij do të ushtrohet ndjekje penale do të jetë për një vepër penale ndryshe dhe që sipas legjislacionit shqiptar mundëson lirimin përpara kohe me kusht”.
AlbaniaWeb.net ka mësuar se kjo letër garanci është e vlefshme edhe për katër britanikët e kërkuar të ekstradohen. Sakaq, pala mbrojtëse shpreson ta fitojë betejën e bllokimit të ekstradimit me argumentin se në të shkuarën në një rast shteti shqiptar nuk ka respektuar garancinë për një vrasës së dyfishtë ekstraduar nga Britania e Madhe në Shqipëri.
Në ndihmë të mbrojtjes, për të frenuar ekstradimin si ekspert erdhi edhe ish gjyqtari shqiptarë në Strasburg Ledi Bianku, i cili deklaroi se përveç rastit të Artan Mucës ai nuk kishte dijeni të mos realizimit të garancive të dhëna prej shtetit shqiptarë në procese të ngjashme ekstradimi nga Britania e Madhe të të kërkuarve shqiptarë.
AlbaniaWeb.net