Wed, Nov 27, 2024

Mashtrimet online/ Mjekë të huaj, pa leje dhe licenca reklamojnë shërbime mjekësore, Brahimaj: Askush nuk mund të…

  • PublishedAugust 26, 2024

Pacientët shqiptarë janë të ekspozuar ndaj  mashtrimeve që bëjnë mjekë  apo të vetëquajtur mjekë që vijnë nga vende të huaja duke marrë një ambient me qira e duke u reklamuar nëpër rrjete sociale pa marrë leje nga autoritete tona shëndetësore.

Nisur nga këto reklamime, “AlbaniaWeb.net” u interesua pranë Urdhrit të Mjekut i cili mohoi t’i ketë pajisur me licencë. Por këto raste janë të shumta dhe pacientët jo të gjithë kërkojnë informacion duke besuar tek bluza e bardhe dhe tek shteti nga i cili reklamohet se vjen mjeku.

Nga ana tjetër sipas kodit të etikës mjeku e ka ndaluar të reklamojë veten sikundër ndodh në vendin tonë.

Sipas ligjit, askush nuk mund të ushtrojë aktivitetit pa u licencuar duhet çdo mjek që vjen të licencohet. Kodi etikes e ndalon reklamën e mjekut. Mjeku nuk është hotel me 5 yje apo pa yje fare. Thuhet është një ndër 10 më të mirët në botë. Po nuk kam informacion të kenë ardhur mjekë të tillë këtu”, shprehet kreu i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj.

Ka nga ata mjekë ose jo mjekë të cilët vijnë duke ofruar konsulta mjekësore për të rekrutuar pacientë e për t’i dërguar në spitale jashtë Shqipërisë

“Edhe kjo duhet ndaluar sepse më parë duhet të bësh një konsultë nëse rasti është për t’i trajtuar në Turqi apo shtete tjetër. Por ti duhet të bindësh autoritetet shqiptare që ti je mjek”, shton Brahimaj.

Para pak vitesh një pacient humbi jetën për shkak se një mjek italian që ofronte kujdes shëndetësor në vendin tonë e kishte trajtuar për kancer me sodë buke. Për të mos u përsëritur këto raste, Inspektorati shëndetësor duhet të kalojë në sitë mjekët e huaj që reklamohen nëpër rrjete sociale nëse janë licencuar nga autoritetet tona.



AlbaniaWeb.net