Thu, Nov 28, 2024

Vrau me thikë Amarildo Hoxhallarin se i ngacmoi të fejuarën, lihet në burg autori

  • PublishedAugust 27, 2024

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë ‘arest me burg’ për Darment Kelin, i cili disa ditë më parë vrau me thikë 34-vjeçarin Amarildo Hoxhallari.

Sipas bluve të Tiranës sherri mes tyre ka ndodhur për motive të dobëta, dhe siç bën me dije Keli, shkak është bërë ngacmimi që viktima i ka bërë të fejuarës së tij.

HETIMET

Grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e ngjarjes së rëndë të ndodhur në “Astir” mbrëmjen e së shtunës, mësohet se nuk po heton vetëm pistën e vrasjes për motive të dobëta.

Burimet bëjnë me dije se po hetohen edhe shkaqe të tjera, pasi viktima ka qenë një emër i njohur për drejtësinë, ndonëse ai duket se nuk ka rezultuar të ishte fajtor apo i përfshirë në një mori ngjarjesh të ndodhura më herët.

Grupi hetimor po punon intensivisht për të mësuar nëse autori dhe viktima njiheshin më herët, apo nëse kanë pasur probleme të tjera, përveç atij momenti fatal që i mori jetën të riut.

DESHMIA

Autori, Darment Keli ka rrëfyer dhe këmbëngulur se ka qenë ngacmimi që Hoxhallari i ka bërë të fejuarës së tij që denigroi situatën dhe ka çuar deri në ngjarjen e rëndë. “Përcolla të fejuarën për te parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon, pashë që një motor po e ndiqte dhe personi po fliste duke e ndjekur paralel makinën. I fola nga ballkoni dhe më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi fizikisht. Pas përplasjes me të, në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia, në gjaknxehtësi dhe sipër. Ka qenë sherr i momentit dhe jo i paramenduar, nuk kam pasur qëllim vrasjen e tij”, – ka dëshmuar ai ndër të tjera, duke u mbrojtur. Policia e arrestoi Kelin pak minuta pas krimit dhe sekuestroi sende të ndryshme si prova materiale, kurse çështja po ndiqet nga Prokuroria, aktualisht me akuzat “vrasja me dashje” dhe “prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Në njoftimin zyrtar të ditës së djeshme, Policia e Tiranës sqaron mes të tjerash, se viktima në momentin e konfliktit shoqërohej nga i ndaluari tjetër A.M., 33 vjeç, që e drejtonte motorin e tij në gjendje të dehur. Ai është ndaluar për “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, kurse hetimet për krimin e rëndë mbeten ende aktive.