Qytetarët në protestë, deputetët dhe Kryesia me pushime/ Zbulohet mesazhi i Nokës: Duhet të jemi ne në ballë, jo anëtarët e thjeshtë
Protesta e vakët dhe me numra modeste, si para Bashkisë dhe poshtë ballkonit të Sali Berishës duket se janë kthyer në problem brenda selisë blu dhe për herë të parë pranohet edhe nga vetë drejtuesit e Partisë Demokratike.
Megjithëse fund gushti, pushimet për deputetët dhe anëtarët e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike nuk kanë mbaruar. AlbaniaWeb.net ka zbuluar një mesazh që ka mbërritur në aparatët celularë të anëtarëve te Kryesisë dhe deputetëve nga Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, i cili u kujton se ka ardhur koha të harrojnë pushimet dhe t’i rikthehen aksionit. Numri dy i selisë blu vendos edhe një kuotë pjesëmarrjeje në protestat që do të mbahen para Bashkisë apo edhe poshtë ballkonit të liderit demokrat, duke nënvizuar se protestat nuk janë detyrë vetëm e simpatizantëve dhe anëtarëve te thjeshtë, por fillimisht e organeve drejtuese të partisë.
“Të dashur miq. Uroj që të keni kaluar mirë pushimet. Stina e vjeshtës për PD dhe opozitën do të kthehet në një stinë protestash dhe revolte, mosbindje civile ndaj narko-regjimit me qëllim krijimin e qeverisë teknike si të vetmen rrugë për ti dhënë vendit zgjedhje të lira Ky angazhim kërkon më se paku pjesëmarrjen e çdo anëtari/e të kryesisë, të grupit parlamentar, këshillit kombëtar dhe pastaj edhe të strukturave të tjera të varësisë deri tek anëtarët dhe mbështetësit tanë në këtë aksion. Duhet të rifillojmë me angazhimin në protestat tek Bashkia dhe “Rruga e Shpresës”. Protestat nuk janë detyrë vetëm e anëtarëve dhe simpatizantëve tanë. Jemi Kryesi e PD dhe duhet të jemi në ballë të çdo aksioni, proteste, përballje dhe revoltë. Faleminderit” , shkruan Noka në mesazhin e tij, raporton AlbaniaWeb.net.
AlbaniaWeb.net