Foto/ Vendi ku Hamasi vrau 364 njerëz gjatë festivalit Nova kthehet në qendër pelegrinazhi
Ndërsa afrohet përvjetori i sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, që shkaktoi luftën në Gazë, vendi ku u mbajt festivali Nova është kthyer në një qendër pelegrinazhi.
Në këtë vend, Hamasi vrau 364 të rinj dhe mori 44 pengje. Gazetarët e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein dhe Ricki Rosen ishin në vendin ku u mbajt festivali Nova dhe biseduan me shumë vizitorë izraelitë dhe të huaj në atë që tashmë është kthyer në një qendër pelegrinazhi.
Kobi Itach po viziton vendin ku u mbajt festivali Nova, ku djali i tij Leil u vra gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor. Itach dhe familja e tij po ndërtojnë një përkujtimore për djalin e tyre ndërsa vazhdojnë luftimet në Gazë, aty pranë.
Itach flet me një grup ushtarësh izraelitë lidhur me djalin e tij dhe mbi 360 viktimat e tjera të sulmit të Hamasit.
“Ndjejmë zërin që vjen nga toka. Çdo hebre në botë, madje edhe jo-hebrenj, duhet të vijë në këtë vend për të parë se çfarë ka përjetuar Izraeli, me çfarë u përballën këta fëmijë. Ata erdhën për të kërcyer dhe u vranë këtu. Duhet të jetë një vend pelegrinazhi për të gjithë”, thotë Kobi Itach.
Zëri i Amerikës bisedoi me Thomas Serfaty, i cili ka shkuar në vendngjarje me një grup nga Franca.
“Doja t’i shikoja gjërat me sytë e mi, në mënyrë që të jem i përgatitur kur të flas me disa njerëz në Francë. Sepse si në Amerikë, ashtu edhe në Francë kemi disa njerëz që dyshojnë për atë që ndodhi, tmerret e asaj që ndodhi këtu.”
Mes vizitorëve është edhe nënkryetari i parlamentit izraelit, Nissim Vaturi, me një delegacion nga partia Likud në pushtet.
“Kemi ardhur për të parë ato fytyra dhe për të mbështetur jugun e Izraelit. Kjo është arsyeja që ne po luftojmë në Gazë”, thotë për Zërin e Amerikës nënkryetari i parlamentit izraelit.
Michael Sabbag po shkruan një citim nga Dhiata e Vjetër, në kujtim të një ushtari të vrarë në festivalin Nova. Ai i fton vizitorët e çdo besimi që të bekohen duke mbështetur citimet e librit të shenjtë.
“Është e mahnitshme kur sheh hebrenj nga Franca, Britania e Madhe, Amerika dhe e gjithë bota që vijnë këtu dhe derdhin lot për njerëz që nuk i njihnin. Kjo është madhështia e popullit hebre, që ndjen dhimbjen e njëri-tjetrit”. Tzipora Waternov u zhvendos në Izrael nga Çikagoja dhjetë vjet më parë. Ajo udhëtoi më shumë se tre orë për ta vizituar këtë vend.
Ndërsa afron njëvjetori i ngjarjeve të 7 tetorit, për shumicën e izraelitëve ka ende shumë më tepër zi sesa gëzim.
AlbaniaWeb.net