Sat, Nov 23, 2024

Zgjedhjet e para parlamentare në Azerbajxhan, gjashtë milionë votues me pak alternativa

  • PublishedSeptember 2, 2024

Azerbajxhani më 1 shtator mbajti zgjedhjet parlamentare, votimet e para që kur Bakuja rimori kontrollin e plotë të Nagorno-Karabakut përmes një ofensive të shpejtë një vit më parë.

Nuk priten befasi në Parlament, i cili dominohet nga partia Azerbajxhani i Ri i presidentit Ilham Aliyev. Këto zgjedhje u ofrojnë më shumë se 6 milionë votuesve azerbajxhanas pak alternativa ndaj besnikëve të Aliyevit, i cili është në mandatin e pestë presidencial.

Sipas Shërbimit azerbajxhanas të Radios Evropa e Lirë në orët e para të votimeve janë raportuar disa mashtrime të pretenduara zgjedhore.

Komisioni kombëtar i zgjedhjeve ka thënë se 50 organizata do të monitorojnë zgjedhjet. Kontingjenti më i madh i vëzhguesve është nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe këta vëzhgues pritet të jenë të pranishëm në vlerësimet preliminare të zgjedhjeve më 2 shtator.

Partia në pushtet ka 69 nga 125 ulëse në Parlament dhe pjesa tjetër e ulëseve u takojnë partive më të vogla proqeveritare apo kandidatëve të pavarur.

Grupimi më i madh opozitar, partia Musavat, kishte vendosur 34 kandidatë në listën zgjedhore, por vetëm 25 nga ta janë regjistruar. Partia opozitare, Alternativa Republikane ka 12 kandidatë. Fronti Popullor azerbajxhanas për të shtatën herë me radhë ka refuzuar që të marrë pjesë në zgjedhje.

Aliyev u rizgjodh për një mandat tjetër shtatëvjeçar gjatë zgjedhjeve të mbajtura shkurtin e këtij viti, që gjerësisht janë parë si zgjedhje jofer.

Vëzhguesit perëndimorë vazhdimisht kanë kritikuar zgjedhjet gjatë mandatit të Aliyevit, duke i përshkruar ato si jodemokratike./ REL



AlbaniaWeb.net