Sun, Nov 24, 2024

Juve “frenon” ndaj Romës, Motta e De Rossi kapet fort pas pikës: Rezultat i drejtë (VIDEO)

  • PublishedSeptember 2, 2024

Në 3 javët e para askush nga ekipet e Serie A nuk arriti pikët e plota, nuk e bëri dot as Juve, me “Zonjën e Vjetër” që u ndal në një barazim pa gola përballë Romës brenda në “Stadium”. 7 pikë në 3 javë shifra pozitive për një skuadër që këtë sezon është formatuar nga e para. Për ekipin e De Rossit diskutimi është ndryshe pasi 2 pikë në 3 javë janë një kambanë alarmi.

Të dy ekipet bënë pak për ta fituar këtë takim, nga një gjuajtje në kuadrat. Thiago Motta aktivizoi në pjesën e dytë 3 blerjet e bujshme të verës, Koopmeiners, Conceicao dhe Nico Gonzales, por asnjë prej lëvizjeve të tij nuk kishte efekt duke bërë që ky takim të mbyllej në barazim pa gola.

Pavarësisht se ekipi i tij nuk arriti të ruajë rrugëtimin perfekt, Thiago Motta u shfaq i kënaqur pas kësaj pikë: “Ishte një ndeshje e ekuilibruar. Ata ishin më mirë në pjesën e parë, ndërsa ne në të dytën. Mendoj se në fund barazimi ishte rezultati më i drejtë. Më pëlqeu e gjithë skuadra, ata që e nisën nga fillimi dhe ata që u futën, por duhet të përmirësojmë shënjestrën”, u shpreh Motta pas ndeshjes.

Nuk e hedh postë këtë pikë Daniele De Rossi: “Për ne ishte e rëndësishme të bënim në ndeshje koncize. Qëndruam të bashkuar në një moment me shumë presion te Roma. Ishte e rëndësishme të bënim mirë dhe të dilnim me atë pikë. Nuk ishte një ndeshje e bukur, por një pikë e mirë nisje”, u shpreh De Rossi në konferencë për shtyp.

()

AlbaniaWeb.net