Gratë këshilltare bëjnë thirrje për luftë ndaj dhunës gjinore
Aleanca Kombëtare e Këshilltareve Bashkiake në një reagim publik ka shkruar se ka ndjekur me shqetësim rastet e fundit të rënda të dhunës me bazë gjinore të ndodhura në vend.
“Ngjarje të tilla duhet të marrin vëmendjen e duhur nga organet ligjzbatuese dhe nga drejtësia, por edhe nga organet e pushtetit vendor dhe nga e gjithë shoqëria shqiptare”, citojnë anëtaret e kësaj aleance në reagimin e tyre.
Gjatë fundjavës një rast i rëndë i dhunës me bazë gjinore u shënua në qytetin e Korçës, ku një grua dhe njëkohësisht nënë e dy fëmijëve u sulmua me lëndë djegëse nga bashkëshorti i saj.
Të dielën gjithashtu policia njoftoi një tjetër rast në Maliq ku si pasojë e një konflikti familjar një shtetas ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij për motive xhelozie.
Gratë e Aleancës Kombëtare të Këshilltarëve Bashkiakë i konsideruan këto raste një kambanë alarmi për vendin tonë dhe për institucionet ligjzbatuese.
“Ne shprehim trishtimin tonë për viktimat e këtyre akteve të rënda kriminale, si dhe indinjatën e thellë për mosreagimin në kohë të shoqërisë, familjarëve dhe organeve të tjera kompetente për të shmangur këto raste ekstreme të dhunës”, shkruajnë këshilltaret bashkiake.
Ngjarja tronditësë në Korçë nxiti gjithashtu reagimin e disa prej ministrave të qeverisë, të cilët u bënë thirrje organeve kompetente për reagim.
“Ngjarja tronditëse që ndodhi dje në Korçë, ku një nënë e dy fëmijëve të mitur u bë viktimë e dhunës së verbër në familje, është një krim i neveritshëm që kërkon ndëshkim shembullor nga drejtësia!”, shkroi Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në reagimin e tij zyrtar në Facebook.
Ngjashëm reagoi edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
“E teksa inkurajoj institucionet përgjegjëse për ndalimin dhe dënimin maksimal të tij, i jam pranë me zemër familjes së Melisës. Askush nuk duhet të përjetojë një dhimbje të tillë”, shkroi Koçiu në faqen e saj në Facebook.