Përfshirja e AMA-s në moderimin e TikTok ngre shqetësime për ‘censurë digjitale’
Pak ditë pasi njoftoi nisjen e një bashkëpunimi me rrjetin social TikTok për të denoncuar dhe fshirë “video të dëmshme”, Autoriteti i Mediave Audiovizive raportoi për dhjetëra denoncime që sollën fshirjen nga platforma të 112 videove me përmbajtje piraterie.
Kryetarja e AMA, Armela Krasniqi shkroi në rrjetin social në Facebook se ata nuk e kishin “parashikuar një fluks të tillë”.
Prej 22 gushtit, AMA njoftoi se kishte vendosur bashkëpunim me rrjetin TikTok për të ndaluar shpërndarjen e materialeve filmike me përmbajtje të dëmshme. Në një njoftim për shtyp, AMA thotë se synon ndalimin e videove ku shfaqet apo nxitet dhunë si dhe ato që “përmbajnë gjuhë urrejtje, që shkelin të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut”.
“Në platformën TikTok, është hapur për llogari të Autoritetit, një kanal, në të cilin do të hidhen përmbajtjet e verifikuara nga ekipet e AMA-s, si të dëmshme, për tu ndjekur më pas zyrtarisht nga Platforma për masa të mëtejshme”, thuhet në njoftim. Autoriteti ndau në faqen e tij një link i cili të drejton për të bërë denoncimin e asaj që mund të konsiderohet përmbajtje e dëmshme.
Por për ekspertë të medias, përfshirja e AMA në këtë proces, një institucion i vënë shpesh në dyshim për zgjedhjen politike të anëtarëve, si dhe mungesa e qartësisë mbi mënyrën se si do të përcaktohet nëse një material është i dëmshëm apo jo, shton mundësitë për censurë digjitale.
“Dhe kjo nuk është një rastësi nëse e analizojnë në kontekstin aktual të mediave online. Këto të fundit po përballen me të ashtuquajturën “censurë digjitale”, e cila është një fushatë e përgjithshme censure që përdor politikat e Platformave të Shpërndarjes nëpërmjet raportimeve”, thotë Elvin Luku, ekspert i medias.
Edhe Blerjana Bino, nga “Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt” thotë se bashkëpunimi i AMA me TikTok ngre një sërë pikëpyetjesh. “Shqetësimi i parë ose nevoja për qartësi: AMA është rregullator për mediat audiovizuale dhe nuk ka një bazë të qartë ligjore për të mbikëqyrur përmbajtjen në platforma online si TikTok. E dyta, nga njoftimi i shkurtër, nuk ka qartësi mbi kriteret që AMA do të përdor për të përcaktuar përmbajtjen e dëmshme dhe mbi mënyrën se si trajtohen raportimet”, tha Bino për BIRN.
E pyetur nga BIRN mbi bazën ligjore dhe mbi kriteret, kryetarja e AMA, Armela Krasniqi, këmbënguli se nuk kishte një marrëveshje mes Autoritetit dhe TikTok, por një “marrëdhënie bashkëpunimi”.
Krasniqi thotë se kjo bazohet në ligjin për funksionet e AMA që me ndryshimet e fundit i lejon autoritetit të shtrijë kontrollin përtej televizioneve dhe radiove edhe në platformat sociale që këta përdorin. Krasniqi citoi Nenin 2 të ligjit 97/2013 që përcakton fushën e zbatimit që i lejon AMA kontroll edhe të rrjeteve sociale apo platformave të shpërndarjes së videove të prodhuara nga televizionet. “Ky ligj zbatohet për transmetimet audiovizive lineare, transmetimet audiovizive jolineare dhe shërbimet mbështetëse të tyre, si dhe për shërbimet e platformave të shpërndarjes së videove”, citohet në përgjigje.
Elvin Luku shpjegon se ndryshimet ligjore ia kanë dhënë AMA-s të drejtën që të kontrollojë përmbajtjen që televizionet shpërndajnë në platforma të ndryshme. “Pra krahas përmbajtjes në TV, tashmë AMA ka dhe kompetencë dhe përmbajtjen në YouTube, Instagram apo TikTok vetëm të operatorëve mediatikë”, thotë Luku.
Por ai shton se njoftimi i AMA-s për bashkëpunimin me TikTok është evaziv dhe i paqartë dhe se në dukje, Autoriteti po i tejkalonte kompetencat, pasi puna do bazohej mbi denoncime.
“Unë e shoh si evaziv, pasi agjencia rregulluese po përpiqet të dalë përtej kompetencave ligjore të saj duke ftuar qytetarët për raportime të videove që qarkullojnë në këtë platformë dhe nuk janë vetem produkt I mediave audiovizive,” tha Luku.
Megjithatë, Krasniqi këmbënguli se denoncimet do të shqyrtoheshin nga ekspertët e institucionit. “Strukturat e ngarkuara me verifikimin e standardeve të postimeve të raportuara, janë: Këshilli i Ankesave, Drejtoria e Legjislacionit Ndërkombëtar, Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikqyrjes dhe Drejtoria e Planifikimit të Frekuencave dhe TIK. Autoriteti nuk monitoron, por vepron sipas ankesave apo raportimeve të publikut”, tha ajo.
Ajo tha se vendimi i këtyre strukturave brenda AMA-s i përcillej me pas platformës dhe se bashkë me referimin për të bllokuar apo fshirë një përmbajtje dërgoheshin edhe shkeljet ligjore të gjetura. “Platforma njoftohet për postimet, që rezultojnë se përmbajnë shkelje të ligjit duke argumentuar shkeljen ligjërisht, përmes referimit të dispozitave përkatëse”, tha Krasniqi.
Bleriana Bino i tha BIRN se kjo përpjekje kishte anën e saj pozitive. Bino tha se parimisht, moderimi i përmbajtjes ndihmon në “krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë përdoruesit, duke parandaluar përhapjen e përmbajtjeve që mund të dëmtojnë shëndetin mendor ose fizik të individëve”.
Megjithatë, Bino thotë se paqartësia e procedurë krijon hapësirë për dyshim.
“Kjo mungesë transparence mund të sjellë mospërputhje nga një raportim në tjetrin dhe paragjykime në raportimin e përmbajtjeve të caktuara dhe në moderimin e përmbajtjes”, thotë ajo. Bino sjell si shembull raportimet e rreme masive ndaj Citizens Channel apo MediaLook që shkaktuan mbylljen e faqeve të tyre në rrjetet sociale të këtyre mediave.
“Rasti i Citizens, MediaLook, tregojnë që përmbajtje kritike janë raportuar me bots dhe trolls dhe janë mbyllur nga Facebook e Instagram, duke cënuar lirinë e shprehjes nën parimin se cënonin rregullat e komunitetit”, përfundoi ajo.