“Po keqinformon qytetarët”, Facebook bllokon videon false të shpërndarë nga opozita për kryeministrin Rama
Opozita ka shpërndarë së fundmi një video të rreme në rrjetet sociale, ku kryeministri Edi Rama duket sikur po konsumon lëndë narkotike.
Për videon e cila ka përmbajtje të rreme, ka reaguar edhe platforma e META, Facebook.
Rrjeti ka sinjalizuar përdoruesit që e kanë shpërndarë videon se verifikuesit e pavarur raportojnë që kjo është një video e prodhuar me teknologjinë ‘deep fake’.
Shpërndarja e kësaj videoje sipas Facebook, mund të çojë në keqinformimin dhe çorientimin e qytetarëve.
Bëhet fjalë për një video të kryeministrit, të cilit përmes inteligjencës artificiale, i është vendosur në një tavolinë lënda narkotike të cilën duket sikur e konsumon.
AlbaniaWeb.net, përmes një aplikacioni në internet ka bërë verifikimin e videos dhe rezulton se ajo në 81% të minutazhit të saj është e fabrikuar përmes Inteligjencës Artificiale.
Video është shpërndarë nga deputeti Edi Paloka, i cili së fundmi është fiksuar në Kuvend, teksa mbante këmbët mbi tavolinën e punës.
Në mungesë të programit politik, emrit të kandidatit për kryeministër, qeverisë hije, apo platformës se si do t’i bindë qytetarët për të marrë mandatin pas më pak se një viti, opozita duket se ka zgjedhur rrugën më të thjeshtë, atë të fabrikimit të fotove dhe videove të kryeministrit, duke tentuar ta godasë atë përmes imazheve fake.
AlbaniaWeb.net