Prapaskena e çuditshme! Divorci mes Moratas dhe Aliçes filloi në fushë pas finales së Europianit
Kthimi në Itali nuk ka shpëtuar Alvaro Moratën nga divorci me partneren e tij, Aliçe Kampelo. Dhe pak nga pak po dalin në skenë detaje që kanë lidhje me këtë divorc që pakkush e priste, pasi çifti dukej i lumtur bashkë.
Gazetarja spanjolle Aleksia Rivas, ka zbuluar se divorci mes çiftit ka filluar me një zënkë pas një prej momenteve më të lumtura të karrierës së Alvaro Moratas. AI kishte qenë kapiteni I Spanjës që çoi lart trofeun e Euro 2024 në finalen në Berlin, por pikërisht gjatë festimeve në fushë kishte nisur një përplasje me atë që së shpejti do të jetë edhe zyrtarisht ish-bashkëshortja e tij.
“Ishte një zënkë gjatë Europianit. Në festimet për Europianin, Aliçe kërkonte që të ishin në fushë vetëm ajo, fëmijët e saj dhe mikeshat që kishte përkrah. Ajo nuk dëshironte të kishte pranë as prindërit dhe as familjarët e tij”, shpjegoi gazetarja, duke bërë të ditur se aty kishte nisur zënka e cila përshkallëzoi në ditët në vijim deri në divorcin mes palëve.