“Nuk jam në dijeni”, deputeti Sinaj mbrohet para Këshillit të Mandateve
Këshilli i Mandateve dhe Rregullores në Kunvend mori të mërkurën në shqyrtim mocionin e iniciuar nga 1/10 e deputetëve të opozitës për papajtueshmëri të mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, pasi bizneset në pronësi të tij kanë përfituar pagesa nga fonde publike.
Sinaj, i njohur si pronar i rrjetit “Big market” zgjodhi të ishte i pranishëm në mbledhje dhe të mbrohej ndaj pretendimeve të opozitës duke këmbëngulur se nuk kishte dijeni për këto blerje.
Ai tha se bëhej fjalë për blerje të vogla të bëra në kasë për nevojat e ndonjë institucioni dhe se kjo ishte e pamundur të shmangej nga punonjësit e supermarketeve
“Unë nuk kam dijeni dhe as nuk kam si t’a di, por as kashierja e marketit nuk mund të dijë që personi që blen punon në një institucion shtetëtor”, tha ai duke referuar një rast që punonjësja nuk e dinte që Bibloteka Kombëtare ishte organ shtetëror.
Sinaj iu referua dokumenteve sipas të cilave ai i kishte transferuar kuotat e bizneseve para se të bëhej deputet duke marrë statusin e aksionerit pasiv dhe se në këto dokumente kishte urdhëruar që bizneset e tij të mos merrnin pjesë në procedura tenderimi me fonde publike.
“Dhe kjo është zbatuar”, këmbënguli ai, duke pretenduar se asnjë nga bizneset e tij nuk ishte përfshirë në tendera shtetërore.
“Por unë nuk kam si ta di ose si të ndaloj sportistët e Shoqatës së Karatesë të blejë coca-cola dhe çokollata në market…”, mori ai një shembull duke iu referuar pagesave të sjellë si prova në mocion.
Faturat e blerjeve nga disa institucione publike kapin shifrën 3.6 milionë lekë, sipas Gazment Bardhit, kryetar i grupit parlamentar të PD-së, i cili prezantoi pretendimet e opozitës në këshill.
“Ne kemi verifikuar nëpërmjet shkresave zyrtare në këtë rast Drejtorisë së Thesarit, se deputeti Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive të tij në vetëm 9 transaksione që ne kemi evidentuar, mund të jenë edhe shumë më shumë, ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 36 mijë euro”, tha Bardhi.
Por, ai shtoi se nuk ishte shuma e përfituar thelbi i mocionit, por shkelja e Kushtetutës që ndalon deputetët të përfitojnë nga të mirat publike.
“Ke marrë 2 lekë apo 3 milionë, shko në Gjykatë Kushtetuese”, iu drejtua ai Sinajt.
Deputetë socialistë i quajtën pretendimet absurde dhe banale, pasi sipas tyre bëhej fjalë për blerje produktesh higjenike të domosdoshme për institucionet në fjalë që i kanë bërë këto blerje dhe se nuk bëhej fjalë për procedura tenderimi, ku kompanitë e Sinajt të kishin marrë pjesë.
Ermonela Felaj tha se kjo ishte një situatë absurde dhe Kuvendi po shpenzonte kohën kot.
“Bëjnë 200 faqe këtu për një gjë kaq banale se çfarë shitet në këtë supermarket dhe kush blen në këtë supermarket…”- tha ajo duke iu referuar raportit të dorëzuar nga opozita për mocionin.
Ndërsa Bledi Çuçi kërkoi të dinte nga Bardhi se sa ishte fitimi konkret që kishte pasur Sinaj pasi faturat paraqisnin vetëm “xhiron e kompanisë”.
“Kjo shumë (3,6 milionë) është shuma e faturave që janë marrë. Nëse do t’i referohemi kërkesës së mocionit, do duhej të dinim shumat që ka përfituar deputeti dhe kjo të mbështetej në dokumentacion. Domethënë nuk ka një dokument të qartë që kaq është shuma e përfituar nga zoti Sinaj”,- tha ai.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali vendosi shtyrjen e mbledhjes duke i dhënë mundësi deputetit Sinaj që të vijonte mbrojtjen me përfaqësues ligjor nëse dëshironte dhe të njihej me të gjithë dosjen e pretendimeve të opozitës para se këshilli të dilte me raport për seancën plenare.
Ky është mocioni i dytë ndaj një deputeti socialist brenda kësaj legjislature, pas mocionit ndaj deputetes Olta Xhaçka, bashkëshorti i së cilës përfitoi statusin “investitor strategji” dhe plazhin para hotelit në Dhërmi.