Partizani me dy seanca në ditë pavarësisht mungesave, Bintsouka ngec në Shqipëri
Partizani është klubi i vetëm i Superiores që ka dërguar lojtarë në përfaqësueset e mëdha. Në këtë grumbullim te të kuqtë u thirrën Agim Zeka dhe Andi Hadroj, të cilët janë nën urdhrat e Silvinjos, si dhe Arshonzh Bintsuka, që mori ftesë nga Kombëtarja e Kongos.
Megjithatë, nga burime në klub mësohet se ky i fundit nuk ka arritur t’i bashkohet kombëtares së tij për shkak të një problemi burokratik me dokumentacionin. Ky është padyshim lajm i keq për lojtarin, por lajm gjysmë “i mirë” për vetë ekipin dhe trajnerin Veselinoviç, i cili do ta ketë në dispozicion kongolezin përgjatë këtyre ditëve.
Duhet thënë se pjesë e organikës së kuqe nuk janë as Preka, Buxhelaj dhe Ismaili, pjesë e Shpresave të Shqipërisë dhe Kosovës. Sa i përket stërvitjes, trajneri Veselinoviç po punon me nga dy seanca në ditë, me qëllim njohjen sa më të shpejtë me ekipin dhe përshtatjen e ideve të tij me mënyrën sesi skuadra duhet të luajë.