Sun, Nov 24, 2024

“Sa kanë punuar prindërit tanë, ata nuk kanë ngrënë kafshata buke”, qytetarët për rritjen e pagave të deputetëve e ministrave: Turp të kenë! Pensionistët po flasin me vete

  • PublishedMay 30, 2023

TIRANË

Qytetarët janë shprehur të indinjuar mëngjesin e sotëm për rritjen e pagave të deputetëve e ministrave, kur pensionet rrinë në vend. Pensionistë, por jo vetëm kanë telefonuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në Neës24 duke shprehur shqetësimin e tyre.

Ata deklaruan se pensionistët po flasin me vete dhe nuk kanë para për të përballuar nevojat e përditshme, duke i kujtuar kryeministrit se votat më së shumti i ka marrë prej tyre.
“Ata sa kanë punuar prindërit tanë nuk kanë ngrënë kafshata buke. Turp të kenë, turp të kenë që i kanë lënë pensionistët po flasin me vetë rrugës, nuk kanë lekë për bukë, po qajnë, nuk kanë lekë për speca e domate.
Ne nuk e njohim kryetarin e bashkisë Kuçovë. Pensionistët i gënjyen”, tha një qytetare nga Kuçova.

“Turp të kenë që nuk ua ngritën pensionet. Mos i hengshin ato lekë”, tha një tjetër.
“Edi Rama i ka marrë votat nga pensionistët dhe është gjynah që i lë pensionistët në këtë farë feje. Nuk blejnë dot një kokërr mollë. Nuk ka një të ri që ta bëjë kauzë këtë çështje. I them Edi Ramës, harram, harram, harram votat e pensionistëve”, u shpreh një pensioniste.

“Këtu është skandal, me i lënë pensionistët as 200 mijë lekë në muaj. Është me ik nga Shqipëria, të na ruajë Zoti fëmijët dhe mendtë e kokës”, tha një grua tjetër.

Nuk mungoi as ironia e një pensionisti. “Do t’i lutesha shumë Edi Ramës që pensionet të mos paguhen, asnjë pensionist. Ne e dinim, e njohim Edi Ramën se kush është dhe prapë shkuam e votuam. Pensionistët bëjnë jetë mizerabël.

Në parlament i ngritën të gjithë kartonët”, tha një tjetër.
“E dëgjova kryeministrin që iu tha këshilltarëve, të paktën t’u qajmë hallet njerëzve. Na u hap dhe një dritare, do vemi t’i qajmë hallet në bashki. Me na i zgjidh nuk na i zgjidhin, të paktën të na i qajnë. Kam qesh me lot. Nuk dinë çfarë nxjerrin më nga goja. Është e turpshme. Vetëm pensionistët kanë mbetur në këtë vend. Kur firmosin atje a shohin. Ç’është kjo qeveri që nuk ka ndërgjegjen minimale, të nxjerrë minimumin jetik. Është një turp. Se si e firmosin, i marrin ato para, nuk i di. Ai që merr 100 mijë lekë, ha bukën”, u shpreh një qytetar.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.