“Asnjë trajner nuk luan për barazim”, Sylvinho “karikon” Shqipërinë: Ukraina skuadër e organizuar, por ne luajmë për fitore
Shqipëria është gati të nisë aventurën e saj në Nations League, me sfidën e parë atë ndaj Ukrainës, që do të luhet në Pragë. Me kujtimin e bukur për atë se çfarë dhuroi ekipi ynë kombëtar, në Euro 2024 në Gjermani, tashmë rikthehemi sërish në fushë, këtë herë me objektivin për të bërë mirë, e pse jo për të dal të parët në grup, në Nations League.
Në konferencën e zakonshme për shtyp, një ditë përpara sfidës, ishin prezentë trajneri Sylvinho si dhe mesfushori Ylber Ramadani.
Për Sylvinhon ndeshja ndaj Ukrainës është shumë e rëndësishme, por ai ndau fillimisht një shqetësim lidhur me gjendjen e lojtarëve që ka në dispozicion si dhe foli edhe për mungesat e rëndësishme që ekipi ynë do të ketë në këtë sfidë:
“Në punën e kombëtares ndodh. Kam parë që shumë ekipe të tjera kanë humbur lojtarë, është moment i vështirë pas Eurpianit. Kanë bërë pak pushime, kthehen, bëjnë fazë përgatitore, luajnë 2-3 ndeshje dhe vijnë në kombëtare”.
“Në Varshavë, në ndeshjen e parë kur morëm ekipin, humbëm Ismajlin e Gjimshitin, tani humbëm Gjimshitin e Ajetin. Folëm edhe për lojtarët që kanë kaluar pak ditë pushimi. Kombëtarja është e hapur, një mundësi për të gjithë, të shkohet në fushë dhe të bëhet më e mira. Nuk janë 25 lojtarë. Unë marr 23-24, por lë në shtëpi 10-12. Është kështu, kjo është puna e Kombëtares”.
Lidhur me kundërshtarin tekniku brazilian theksoi se përballë do të kenë një skuadër shumë kompetitive e të organizuar: “Kur flasim për Ukrainën, flasim për grupin, një grup shumë i vështirë, me të katër ekipet që bënë një Europian të mirë. Rebrov është i aftë, e organizon mirë skuadrën, ka lojtarë shumë të mirë, janë Sudakov, Çeparov, Mudrik, dy qendra, portieri… Janë teknikë, shumë fizikë dhe të organizuar, kanë bërë një Europian të mirë. Grupi ynë është shumë i vështirë, duhet ta përballojmë fizikisht se është skuadër e vështirë dhe shumë teknike”.
Pyetjes nëse ai do të ishte i kënaqur me një barazim, Sylvinhi i’u përgjigj: “Asnjë trajner në botë nuk e përgatit ndeshjen për të barazuar, është e pamundur. E përgatit për të fituar. Ne përgatitemi për të fituar, pastaj ndeshja është ndeshje, ka çdo rezultat. Ka lojtarë të rëndësishëm që mungojnë, por duhet të luajmë, shkojmë në fushë të fortë dhe të shohim. Logjika është të përgatitim ndeshjen të fitojmë e pastaj të shohim:
Ndërkohë ndeshjen ndaj Ukrainës e komentoi edhe mesfushori Ylber Ramadani, i cili shfaqi besim se skuadra mund të marrë rezultat pozitiv: “Atmosfera e ekipit është fantastike, jemi shumë të përqëndruar. Nesër na pret një ndeshje shumë e vështirë. Atmosfera e grupit është e mirë. Jemi gati, e kemi studiuar Ukrainën, e dimë pikën e fortë. Shpresoj që nesër të marrim rezultat pozitiv.
Sfida Ukrainë-Shqipëri do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje në ora 20:45, në Pragë.