Sat, Nov 23, 2024

Flet Brdaric: Na duhej kjo miqësore, skuadra po punon shumë

  • PublishedSeptember 8, 2024

Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, ka pohuar pas miqësores me Otrant se ndeshja i ka vlejtur për të parë lojën e të tijve, sidomos të sulmuesit nga Gaboni, që sapo është bashkuar me skuadrën. Ai është shprehur se i gjithë fokusi është te ndeshja e radhës me Egnatian në kampionat.

“Mendoj se ishte e përshtatshme si një ndeshje stërvitore, ku të gjithë marrin minuta dhe rezultati s’ka shumë rëndësi. Ishte mirë që të shikonin se ku jemi si ekip. Kishim përballë një kundërshtar të fortë dhe duhej që ta përballonim në një mënyrë profesioniste. Stoli nuk ngroh? Janë shumë djem të rinj. Duhet eksperiencë në këto lloj ndeshjesh, duhet që javë pas jave të marrin minuta në lojë për t’i shërbyer Vllaznisë.

Matouti? Minutat e para ishin pozitive. Krijonte disa hapësira në sulm, vepronte mirë, por ka pak kohë me ekipin dhe duhet që ta shikojmë edhe më shumë në stërvitje. Shpresoj se do t’i shërbej ekipit. Për dëmtimin e Deliut do të flasim me doktorët dhe shpresojmë që të jetë shpejt në stërvitje”, tha fillimisht trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç.

EGNATIA – “Jemi duke punuar për këtë ndeshje, jemi duke shfrytëzuar këtë pushim për t’u rritur teknikisht dhe taktikisht. Ne të gjithë jemi fokusuar tek ajo ndeshje. E kemi lënë pas ndeshjen e fundit, jemi duke punuar dhe menduar vetëm për Egnatian. Por mund të them se edhe pse 70 minuta me një lojtar më pak, ishim superiorë kundër Skënderbeut, pa diskutuar për 11-metërsha të padhënë. Tani fokusi ynë është vetëm Egnatia”, ka theksuar më tej trajneri Brdariç.

AlbaniaWeb.net