Thu, Nov 28, 2024

Refuzoi të qëllonte civilët në ‘97! Nderohet pas 27 vitesh nga Bashkia e Tepelenës ish-piloti, Fatmir Meçaj

  • PublishedSeptember 10, 2024

27 vjet pas ngjarjeve komplekse të vitit 1997 një ish pilot i bazës ushtarake të Kuçovës u nderua nga bashkia e Tepelenës me titullin më të lartë lokal për “shmangien e vëllavrasjes në vitin 1997”.

Fatmir Meçaj dhe kolegët e tij të asaj periudhe tregojnë se u urdhëruan të bombardojnë nga ajri depot e armatimit në fshatin Turan të Tepelenës ndërsa zona ishte e populluar dhe brenda depove kishte shumë njerëz të irrituar që po merrnin armë.

“Pasi u dha urdhri të gjithë ishin të emocionuar dhe njëkohësisht mendonin, ç’është ky urdhër në kundështim me interesat e popullit. Lufton e mira me të keqen e në këtë rast fitoi e mira sepse ne ishim te detyruar të zbatonim betimin që kishim bërë dhe urdhëri ishte në kundërshtim me betimin prandaj vendosëm të mos veprojmë. Edhe shokët e mi që u ngritën pas meje të njëjtën gjë bënë. Ne na u dha urdhër që të qëllonim në Turan, mbi depot e Turanit, mbi njerëzit që ishin atje duke marrë armatim. Kur pashë që kishte njerëz u ktheva në bazë. Kolegut tim Agim Matraku që u ngrit pas meje i thashë: pashë por nuk pashë gjë” pra nuk duhet të veprosh. Edhe ai të njëjtën gjë bëri.”

Kolonel Agim Matraku ish-komandant i bazës ajrore të Kuçovës e kujton periudhën si më të vështirën e jetës së tij si ushtarak dhe pilot.

“Ka qenë një periudhë shumë stresuese se urdhërat nuk jepeshin me shkrim. Të gjitha urdhërat jepeshin në ajër. Por edhe Fatmiri edhe ne të tjerët vumë zemrën dhe ndërgjegjjen tonë në vend të urdhrit.”

Avionët ushtarakë bombardues janë parë nga popullsia të fluturonin ne pranverën e 1997 mbi disa zona të Jugut me objektiv shkatërrimin e depove ushtarake në Tepelenë e Gjirokastër por askush prej tyre nuk qëlloi mbi popullsinë.

Lufta civile e shkaktuar pas rënies së skemave piramidale dhe humbjes në to të më shumë se 1,2 miliardë dollarëve degradoi në anarki dhe shkatërrim. Dezertimi i ushtarakëve dhe efektivëve të SHIK-ut për shkak të urdhrave kaotikë dhe të drejtuara ndaj civilëve bëri që në kushtet e mungesës së shtetit një territor i gjerë i vendit të bjerë ne duart e bandave të armatosura e më tej nën  kontrollin e të ashtuquajturave komiteteve të shpëtimit. Edhe baza ajrore e Kuçovës u sulmua në 9 mars nga bandat të cilat morë nën kontroll 19 aeroplanë luftarakë të tipit MIG.



AlbaniaWeb.net