Wed, Nov 27, 2024

Bastisja në institucionet financiare në Leposaviq/ Sekuestrohen mijëra euro, dinarë serb, franga zvicerane dhe dollarë amerikan

  • PublishedSeptember 13, 2024

Policia e Kosovës ka dhënë detaje pas bastisjes që është bërë ditën e enjte në disa lokale të Bankës Popullore të Serbisë, dega në Kosovë, dhe Drejtorisë së Thesarit në Leposaviq.

Policia njofton se ka sekuestruar mijëra dinarë serb, dollarë amerikan, franga zvicerane dhe mijëra euro gjatë bastisjes.

Gjithashtu, janë sekuestruar edhe disa pajisje tjera, që dëshmojnë operimin e jashtëligjshëm të këtyre institucioneve.

“Lidhur me rastin, me 12.09.2024 njësitet policore kanë kryer kontroll në dy lokacione, nën dyshimin se institucionet financiare kanë kryer veprat e cekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar; 5,772 313.00- dinarë serb, 57,626.00-dollarë amerikan, 10,835.00-euro, 2,790.00 franga zvicerane, dy shtëpiza kompjuteri dhe dy DVR të kamerave të sigurisë. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa vula dhe dokumente të ndryshme që dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve”, theksohet në raportin e policisë.

Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë kryer në konsultim e koordinim me prokurorin e shtetit.

Të enjten zëvendësdrejtori i policisë për veriun, Veton Elshani tha për Telegrafin se operacioni është pjesë e një hetimi në vazhdim për krime ekonomike, konkretisht për pastrim parash.

“Me urdhëresë të Gjykatës në Mitrovicë, po bastisen lokalet e Bankës Popullore të Serbisë, dega në Kosovë dhe Drejtoria e Thesarit, Ministria e Financave në Leposaviq. Krimet Ekonomike janë duke hetuar një rast të pastrimit të parave që ka pasur lidhje me bankat më herët,” tha Elshani.

Hetimet për këtë rast janë në vazhdim, dhe më shumë detaje priten të dalin nga autoritetet përgjegjëse.



AlbaniaWeb.net