Shtyhet debutimi me “vjollcët” për Gudmundsson? Shkak, problemet e islandezit me drejtësinë
Fiorentina përgatitet për një sfidë delikate këtë fundjavë, pasi skuadra e Palladinos do të udhëtojë drejt Bergamos, ku do të përballet me Atalantën, sfidë e vlefshme për javën e 4-ët të Serie A. Me Fiorentinën pritet të bëjë debutimin edhe sulmuesi islandez Gudmundsson. Por debutimi i tij ka gjasa të shtyhet sërish. Nëse në javët e para sulmuesi ishte jo në dispozicion të ekipit për shkak të dëmtimit, këtë here arsyet janë tërësisht të ndryshme. Sulmuesi “vjollcë” ka probleme me drejtësinë në vendin e tij të origjinës.
Sulmuesi islandez ndodhet në shtëpi në Reykjavik që nga e hëna për shkak të seancës dëgjimore në gjyqin që e përfshin atë me akuzën e “sjelljes së keqe seksuale”. Çështja, që daton në verën e vitit 2023 pas takimit me një vajzë në një klub, u mbyll në shkurt, për t’u rihapur vetëm pas apelit nga prokuroria.
Një seancë tjetër, sërish me dyer të mbyllura, u zhvillua mëngjesin e së premtes, ndërsa dënimi pritet në tetor, me ankim të mundshëm brenda muajit nëntor dhe vendim përfundimtar qershorin e ardhshëm. Tani për tani, siç thotë Viola, programi mbetet i konfirmuar: rikthimi i lojtarit në Firence pritet të premten në mbrëmje, si dhe pjesëmarrja e tij në stërvitjen përfundimtare që do të zhvillohet në Viola Park mëngjesin e së shtunës, kur do të mbërrijë edhe presidenti Rocco Commisso nga Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i Gudmundsson është të largohet me shokët e tij për në Bergamo me shpresën për të debutuar me fanellën vjollce.