BE kritika Kuvendit për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Në një reagim për mediat delegacioni i BE-së në Tiranë shfaqi kritika ndaj mazhorancës pas një votimi ku ajo refuzoi të zbatojë një vendim të gjykatës që i kërkonte Kuvendit të votonte pro dërgimit për interpretim të mandatit të deputetes Olta Xhaçka,
“Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur”, u shpreh BE.
Socialistët zgjodhën të abstenojnë ose të votojnë kundër duke e bërë të pamundur që projektvendimi të miratohej, ndërkohë që kishin rrëzuar në prill një vendim tjetër të ngjashëm të Kushtetueses.
Këto qëndrime të mazhorancës u cilësua nga gjykata si “shkelje të rënda të Kushtetutës” dhe sipas saj përbënin “cënim të themeleve të shtetit”.
BE gjithashtu vë në dukje se “zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”.
Delegacioni i referohet raportit të fundit të BE-së mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, ku janë shprehur shqetësimet lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti.
“Përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (janar 2023)”- thuhet në reagimin e dhënë nga delegacioni për mediat në Tiranë.
Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, pasi PS e mbrojti Xhaçkën, së pari me procedurë parlamentare dhe më pas duke dalë kundër vendimeve të gjykatës që e “urdhëronin” Kuvendin që të votonte pro dërgimit të mocionit për interpretim.
Qëndrimet e mazhorancës bien në kundërshtim me praktikën e mëparshme parlamentare për dërgimin për interpretim në gjykatë të mandateve të deputetëve, kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës, i cili u ndalon deputetëve të përfitojnë pasuri publike.
Xhaçka akuzohet nga opozita se ka përfituar të mira publike në kundërshtim me Kushtetutën, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, një ish-deputet socialist përfitoi statusin e “investitorit strategjik” për ndërtimin e një hoteli me 5 yje në Dhërmi.
Gjatë kohës që Xhaçka mbante detyrën e ministres së Jashtme në kabinetin qeveritar, Këshilli i Ministrave mori vendim për të dhënë në përdorim për 30 vite brigjet e detit para hotelit.