Sun, Nov 24, 2024

Sevilja-Roma ka rëndësi të veçantë për Tiranën dhe Egnatian. Fituesi i Ligës së Europës mund t’u bëjë “dhuratë” 200 mijë euro

  • PublishedMay 31, 2023


Sevilja-Roma ka rëndësi të veçantë për Tiranën dhe Egnatian. Fituesi i Ligës së Europës mund t’u bëjë “dhuratë” 200 mijë euro

30 May, 2023

30 May, 2023

Sevilja dhe Roma luajnë këtë të mërkurë në Budapest finalen e Ligës së Europë. Luajnë për një trofe prestigjioz, për të siguruar një biletë në Ligën e Kampioneve e në mënyrë indirekte edhe për të sjellë 200 mijë euro më shumë në futbollin shqiptar, më saktësisht në llogarinë bankare të skuadrës fituese të Kupës së Shqipërisë.

Fati i kësaj ndeshje mund të përcaktojë në vijim edhe se në cilin tur të Ligës së Konferencës do të shkojë fituesja e Kupës së Shqipërisë, e cila do të mësohet vetëm 24 orë pas ndeshjes së Budapestit, nga sfida mes Tiranës dhe Egnatias.

Sipas formulës së UEFA-s dhe shpërndarjes së skuadrave të shteteve të ndryshme, nëse fituesi i Ligës së Europës do të mbyllë kampionatin përkatës në pozicionin që çon në Ligën e Konferencës, si pasojë e lëvizjeve të ndryshme, do të sjellë 200 mijë euro më shumë për fituesen e Kupës së Shqipërisë.

Kush fiton mes Tiranës dhe Egnatias të enjten, nuk do ta niste nga turi i parë kualifikues në Ligën e  Konferencës, por nga turi i dytë i saj, si Vllaznia në sezonin e kaluar. Dhe kjo do të thotë që nga 250 mijë eurot e turit të parë, shifra minimale që do të përfitonte në rastin më të keq fituesja e Kupës së Shqipërisë, do të ishte 450 mijë euro.

Ndaj skuadra fituese e Kupës duhet të ndjekë me interes finalen e Budapestit, e pastaj edhe ndeshjen e fitueses së saj në fundjavë, duke shpresuar që cilado që çon trofeun mes Romës dhe Seviljes, më pas të mbyllë kampionatin përkatës në vendin e 7.

ERMAL KUKA – PANORAMASPORT.AL

© AlbaniaWeb.net