Atalanta feston me Gjimshitin, Berisha-Ramadani udhëheqin Lecce, shkëlqen Ismajli (VIDEO)
Me Gjimshitin të rikuperuar në kohë rekord, Atalanta rikthehet te fitorja duke mposhtur Fiorentinën me rezultatin 3-2, një ndeshje e çmendur e vendosur brenda pjesës së parë. Ekipi vjollcë kaloi në avantazh në minutën e 15-të, por Atalanta reagoi shpejt duke barazuar shifrat pak minuta më pas me Retegui, i shërbyer në zonë nga Lookman.
Ritmi i lojës ishte shumë i lartë me Kean që në minutën e 32-të, i pa shqetësuar në zonë, rikthehu edhe një herë Fioren në avantazh. Stafetën më pas e mori dyshja De Ketelaere-Lookman. Fillimisht ishte belgu që me kokë barazoi shifrat në 2-2, ndërsa në shtesën e pjesës së parë sulmuesi nigerian me një aksion personal shumë të bukur kaloi Atalantën në avantazh. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund me bergamaskët që festuan për këtë trepikësh. Berat Gjimshiti qëndroi në fushë për 90-minuta, një nga lojtarët më të vlerësuar në radhët e Atalanta-s, lojtari më i vlerësuar në repartin defensivë.
E ka shumë të vështirë të gjejë fitoren e parë sezonale Roma. Ekipi i De Rossit u ndal sërish, këtë herë në transfertë përballë Geona-s ku nuk shkuan me shumë se një barazim 1-1. 3 pikë në 4 javë janë shifrat që tregojnë qartë se ekipi i De Rossit po kalon një krizë të fortë në këtë fillim sezoni.
Me një pikë nga java e katërt e Serie A doli Lecce pas barazimit pa gola në transfertë përballë Torinos. Ylber Ramadani dhe Medon Berisha zbritën në fushë si titullarë. Ramadani zhvilloi një 90-minutësh të plotë, ndërsa Berisha u zëvendësua në minutën e 70-të. Të dy legjionarët kuqezi zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, nga lojtarët më të vlerësuar në radhët e Lecce-s.
Legjionari më i vlerësuar në këtë javë të Serie A ishte Adrian Ismajli. Qendërmbrojtësi kuqezi futi në “xhep” Dusan Vlahovic duke bërë që Empoli i tij të merrte një pikë me shumë peshë përballë Juventus pas barazimit pa gola.
()