Sun, Nov 24, 2024

“Stop punëtorëve sezonalë”, Idrizi “shkrin” ekipin: Sherri ishte kot, Korabi na rrahu me meritë

  • PublishedMay 31, 2023

 

EKSKLUZIVE/ “Stop punëtorëve sezonalë”, Idrizi “shkrin” ekipin: Sherri ishte kot, Korabi na rrahu me meritë

30 May, 2023

30 May, 2023

Sinan Idrizi “shkrin” Flamurtarin. Pas dështimit të objektivit “Superiore”, presidenti merr situatën në dorë. Mblodhi dje stafin teknik dhe lojtarët, u shpërndau rrogën e muajit dhe u dha të gjithëve pushime. Gjasat janë që për sezonin e ri do të kemi një skuadër krejtësisht të re. Rrugët me shumë mundësi do të ndahen edhe me Diego Longon, që nuk do të jetë më në stol. Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”, numri një i klubit shfaq haptazi zhgënjimin dhe përgjegjës për atë që ngjau quan futbollistët.

Idrizi, Flamurtari dështoi të ngjitej në Superiore sezonin e ri. Cili është komenti juaj?

Unë sot (dje) i takova këta djemtë që duan të ikin… Ishte dita e rrogës. Pasi i shpërndava, u thashë “largohuni të gjithë”. Ata filluan klasiket “ju kërkojmë ndjesë”. Ore, ju mua mos më kërkoni ndjesë fare. Unë nuk i kthehem mbrapa investimit tim. Ndjesë duhet t’i kërkojnë qytetit dhe pritshmërive të larta që tifozët kishin. Mua më vjen keq vetëm për pjesën e investimit të qytetit. Investimin tim, i di vetë hesapet e mia… Por problemi është diku tjetër.

Ku është?

Fola burrërisht me këta në fillim fare. Me thanë që janë të gatshëm të luftojnë fort. Kishim dy ekipe në gatishmëri dhe golin e barazimit të përkohshëm na e bën 17-vjeçar. Ne në janar kishim një superinflacion sulmuesish, sot si përfundim kemi vetëm një djalosh të akademisë.

Prisnit që do të shkonte kështu?

Unë të kam thënë që atëherë, që dua të jem ose i pari ose i fundit. Të parët nuk dolëm më, shkuam të fundit. Këta që të gjithë kishin besim, trajneri, stafi dhe lojtarët. Nuk është se luajtën keq, pasi stili i lojës ka ndryshuar. Por çështja është, sa doli ndeshja?!

Çfarë nuk ka shkuar dhe çfarë mendoni ju se nuk ka bërë mirë Longo?

Ka një mentalitet krejt tjetër nga ajo që kishte në ekip më parë. Longos iu desh një muaj që të shpjegonte çfarë donte. Ishte superprofesionist dhe ka bërë disa gjëra të një stili tjetër, ndryshe nga ai i Marcelo Troisit. Por në fund fare, janë ca gjëra që…

Çfarë janë këto gjëra?

Gjashtë ndeshjet e fundit, ndërrimi i trajnerit është problematik. Janë ca histori, që pas ndeshjes bëhet edhe analiza. Por Longo bëri detyrën e tij, nuk patëm sukses dhe kaq.

Do të vijojë Diego Longo të jetë trajner i Flamurtarit?

Në këto momente është shumë shpejt të flasësh. Këtyre djemve unë u thashë sot (dje) të gjithëve: “Ishte një disfatë. Pushime të mbara”! Duhet të reflektojmë se çfarë ndodhi dhe çfarë nuk duhet të ndodhte. Tani është kohë pushimesh. Nuk kemi kohë t’i hyjmë kësaj historie. Duhet të jemi pak më të qetë, pak më të arsyeshëm.

Po thoni që në verë do të kemi një skuadër, e cila do të ndërtohet nga fillimi dhe me një trajner të ri?

Tani ideja është kjo… Unë dua një ekip që të jetë fitues në mentalitet. Dua një grup që të mos vijnë këtu, për një “erdha, të pashë, i mora paratë dhe ika”. Nuk dua t’i fyej, më besoni, se përgjithësisht kemi kaluar mirë dhe kanë qenë seriozë. As nuk e kam problemin te paratë, por tek ajo që lënë mbrapa. Këta që vijnë te Flamurtari, duhet të lënë një shenjë dhe gjurmë. Nuk dua punëtorë sezonalë te Flamurtari! Dua punëtorë nga ata që janë profesionistë dhe që duan të lënë një shenjë në këtë qytet, në këtë ekip. Ky është kushti im i parë dhe i fundit. Stop punëtorëve sezonalë! Këtë i thashë stafit tim. Nuk dua punëtorë që të vijnë për të vjelat në kohën e të vjelave. Nuk e kam te trajneri fare. Nuk jam duke menduar për trajner. Unë po mendoj çfarë nuk shkon si strategji. Unë kisha bërë një superbuxhet për hyrjen në Superiore. Unë po filloj strategjinë e investimeve tani. Puna nuk do të stopohet, por na stopoi ky udhëtim që na hëngri në kohë. Çfarë kërkojnë nga ne këta, ne ua japim, por çfarë do të na japin ne këta? Çfarë shije do të lënë në qytet.

Mendoni se në këtë dështim ka faj edhe ish-trajneri Troisi, pasi lojtarët ai i solli?

Në kohën kur punët nuk shkojnë është e lehtë të vësh gishtin. E ka Troisi, e ka Sinani, e ka ky tjetri para Troisit, e ka Longo që ishte këtu… Të gjithë kanë përgjegjësi në këtë histori. Përgjegjësia e parë është e lojtarëve që luajnë në fushë. Pastaj të gjithë bashkë kemi përgjegjësi! Shenja te Flamurtari nuk është sherri në fushë…

Keni një koment për përplasjen që ndodhi nga lojtarët tuaj në fund të ndeshjes me Korabin?

Nuk e kuptova atë sherr pas golit. OK, u provokua nga një djalë i atyre andej, pastaj këto justifikimet, arbitri na dha goditje këndi… Tani mos u merrni me arbitrat, pasi ne e dimë se çfarë hanë këta. Jo ishte këndi, jo s’ishte këndi… Ti i shikon tani. Janë gjëra që i kemi thënë me qindra herë. Duhet që të shkonin dhe t’u jepnin dorën lojtarëve të Korabit. T’i përgëzonin dhe t’u uronin suksese, të ishin njerëz civilë. Bënë një sherr që nuk duhet ta bënin. Nuk ke takat ta rrahësh atë ekip, pse krijoni sherre kot. Të provokuan ata, OK… Ata janë në një status mental më të dobët nga ti. Ti je më inteligjent, je më i zoti, më i dituri. Unë e pashë atë gjestin e shëmtuar të lojtarit të tyre, por nuk do të thotë kjo tani… Ata fituan me meritë, të rrahën me meritë dhe kaq! Kjo mua më plogështon, pasi një futbollist që është i vetëdijshëm merr përsipër atë që duhet të marrë përsipër.

Por u zunë edhe me njëritjetrin, kush ta gjuante faullin…

Mirë këtë, por unë nuk kuptova as atë historinë e tipit që i futet një “Ç” para, ose një shpërqendrim. Nuk dihet se çfarë bëjnë këta more vëlla. Një çorganizim, nuk e kuptova. Ore, Flamurtari ynë është ky? Shkojnë katër veta aty dhe zihen kush të gjuajë topin (qesh)

© AlbaniaWeb.net