A duhet të armatoset Shqipëria
NGA BEN BLUSHI
Si një njeri që ka jetuar njëzet vjet nën një regjim gjysmë ushtarak, unë pothuajse e kam urryer ushtrinë. Më dukej sikur ushtria ishte një magazinë e mbushur me gjëra që nuk duheshin. Në klasat ushtarake isha indiferent, armët që na jepnin i përdorja si dekor karnavalesh, kapelat me yll të kuq që më prishnin flokët i palosja në xhep, kallashnikovin model 56 e zbërtheja me përtesë dhe në zbor shkoja ashtu si shumica e djemve dhe vajzave për t’u marrë me punë të tjera që i shkonin moshës. Njëlloj ishin pak a shumë nxënësit dhe studentët në atë kohë. Pothuajse asnjëri nuk kishte dëshirë të mësonte sesi mbrohej atdheu. Nuk e di a ka ekzistuar në ndonjë vend të Europës një kategori e tillë adoleshentësh, por në Tiranën e viteve ‘80 që njoh, ky kontingjent ushtarësh potencialë ishte i madh.
Ne besonim se një vend që na pengonte të dëgjonim muzikë, të udhëtonim jashtë, të flisnim, të shanim, të ankoheshim, të talleshim, të kërcenim, të harbonim, të lexonim, nuk meritonte të mbrohej. Për këtë vend ndoshta nuk ia vlente të vdisje. Në këtë vend ne nuk kishim asnjë pronë. Çdo gjë ishte e përbashkët, asgjë nuk ishte e jona. Ata që kishin luftuar para nesh, gjyshërit tanë në vitet 1940 kishin prona, të cilat i humbën, pasi luftuan. Kurse ne lindëm pa e njohur pronën dhe ndoshta atdheu pa pronë ka diçka që i mungon, prandaj dukej e çuditshme të mbroje diçka që nuk e kishe. Për këto arsyeja ne e përçmonim ushtrinë. Ushtria ishte gardiani i burgut ku jetonim. Ajo nuk lejonte botën të hynte në Shqipëri dhe nuk lejonte asnjë shqiptar të dilte jashtë, sepse kontrollonte kufijtë me armë. Në 45 vjet, ushtria shqiptare vrau më shumë shqiptarë se të huaj dhe kjo e bën atë ushtrinë më të pavlefshme në historinë e botës. Ajo e mbrojti çdo ditë Shqipërinë nga shqiptarët dhe asnjë ditë nga të huajt. Por megjithëse ishte një nga ushtritë më të pasura në planet, ajo ishte njëkohësisht më e varfra. Kishte shumë armë, por nuk kishte duar.
Kishte shumë vullnet, por nuk kishte shpirt. Ushtarët e saj adhuronin armikun. Nuk e di çfarë do kishte ndodhur në atë kohë, sikur Amerika, Gjermania apo Franca të na kishin sulmuar, por jam i bindur se shumë ushtarë do kishin kaluar me armikun, që më vonë u provua se ishte çlirimtari. E pavarësisht se nuk u testua asnjëherë dhe nuk mundi dot asnjë armik të jashtëm, Ushtria Shqiptare ishte pasuria më e madhe që kemi pasur në histori. Para dhe pas saj ne nuk kemi krijuar asgjë që mund të krahasohet me ushtrinë e komunizmit dhe ndoshta nuk do arrijmë të krijojmë kurrë më një institucion aq të organizuar, aq të madh dhe të pajisur me armë të të gjitha kalibrave. Ushtria Shqiptare ishte e vetmja gjë gjigante në një shtet liliput si Shqipëria.
Përveç bombës atomike, ajo kishte gjithçka që i duhej për t’u mbrojtur, në ajër, në tokë dhe në det. Kur komunizmi ra, Shqipëria kishte 1200 tanke. Që të kuptohet sa janë 1200 tanke, duhet të dini se sot Serbia ka vetëm 230 tanke. Ndërsa Greqia ka aktualisht aq tanke sa ne kishim në kohën e komunizmit, rreth 1300. Rusia që lufton dhe pushton nuk ka më shumë se 6 mijë tanke, disa prej të cilëve si ata që na ka falur ne dikur. Kurse Shqipëria sot ka vetëm 40 tanke. Nga 1200 që kishte. Në vitin 1990 Shqipëria kishte 240 avionë nga të cilët 120 ishin “Mig” të disa llojeve, përfshi MIG 15, 19 dhe 21 të gjithë avionë sulmues, ky i fundit edhe më i shpejtë se F 22 amerikan i kohës së vet, që kapte një shpejtësi më shumë 2200 kilometra në orë. Sot Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s, që nuk ka asnjë avion luftarak. E vetme Shqipëria nuk mbrohet dot nga ajri. Ndërkaq, Maqedonia ka tre avionë luftarakë, që meqë ra fjala i bleu nga Ukraina për t’i përdorur kundër rebelimit të shqiptarëve në vitin 2004, kurse Serbia ka 18 MIG si ata që kemi pasur ne, në gjendje pune dhe të gatshëm për sulm. Por nuk mbaron me kaq. Të tjerët janë armatosur kur ne jemi çarmatosur.
Sot Serbia është bërë një eksportuese armësh, Maqedonia prodhon pistoleta dhe pushkë, ndërsa Kroacia është një nga furnizueset kryesore me armë personale të të gjitha llojeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sidomos me pistoleta, armë gjahu dhe automatikë. Ndërkohë të gjitha fabrikat e prodhimit të armëve në Shqipëri janë mbyllur. Shqipëria është i vetmi vend që nuk prodhon më as fishekë për vete. Vetëm tri dekada më parë në Poliçan prodhoheshin 40 tonë municion në ditë, në Gramsh deri në 400 automatikë në ditë. Më kujtohet në vitet 2000 kur në rrethet tona qarkullonte një shaka e hidhur. Kur tanket çoheshin për skrap, kishte nga ata që talleshin duke thënë se mund ta blinin një tank për 200 dollarë thjesht për t’ua bërë peshqesh fëmijëve. Një tank kinez dyzet tonësh kushtonte në ato kohë më lirë se një qen kinez i ilustruar që bënte fotografi me një bateri të fshehur pas kurrizit. Sikur këto pasuri t’ua kishin shitur njerëzve si relike, gjysma do t’i kishin ruajtur. Por ato u çuan në furra për t’u shkrirë. Kjo e bën edhe më të kobshme atë që ka ndodhur. Ushtria shqiptare është e para e llojit të vet që në vend të shkatërronte armikun, shkatërroi armët e veta. Edhe vetëvrasja është më e logjikshme se vetëgjymtimi.
Tanket dhe avionët u shitën me kile, sipas peshës, pa marrë parasysh funksionin e tyre. Kjo është njëlloj sikur vlera e një futbollisti të matet nga pesha e tij trupore dhe jo nga cilësitë atletike. Në tregun e lirë sot, një tank kinez do kushtonte më shumë se 200 mijë dollarë, ndërsa një avion MIG pa dyshim disa milionë. Shumë prej këtyre modeleve që ne kemi pasur, lëvizin çdo ditë mes fushave të Ukrainës dhe Rusisë, duke bërë pushtime të vogla dhe duke mbrojtur ushtarë, pasi kanë kaluar nëpër një proces rinovimi teknologjik. Nga një llogari pak euforike, del që vlera e gjithë armatimeve të ushtrisë shqiptare me çmimet e sotme të tregut do shkonte më shumë se 100 miliardë dollarë, nëse do u shitej vendeve të etura për armatim siç po ndodh sot kudo në botë. Por, edhe sikur gjysma apo çereku i kësaj vlere të jetë e vërtetë, ajo duket edhe më dramatike në kushtet kur buxheti vjetor i ushtrisë shkon afërsisht 400 milionë dollarë në vit, që do thotë se vetëm duke shitur pasurinë ushtarake që kishim, mund ta kishim siguruar për 250 vjet ose 125 vjet këtë buxhet, pa prekur taksat.
Është njëlloj sikur babai të të lërë një pasuri aq të madhe saqë mund të jetosh disa qindra vjet pa punuar. Kur i bëj këto llogari më duket se Shqipëria i ngjan një familjeje që ka shitur armët e gjyshit për të blerë buzëkuq dhe për të shkuar në një dasmë. Komshinjtë kanë qeshur dhe kur ka mbaruar dasma të gjithë kanë shkrepur armët në ajër, siç ndodh në Ballkan, kurse ty të është fshirë buzëkuqi nga turpi. Sa e dhimbshme! Nëse në vitin 1990 ishim një vend që kishte shumë armë, por nuk kishte çfarë mbronte sepse ishte shumë i varfër, sot i ngjajmë një vendi që ka çfarë mbron, por nuk ka me se e mbron.
Prandaj pyetja është kjo:
A duhet të armatoset Shqipëria?
Për arsye që para luftës në Ukrainë dukeshin të pamundura, të gjitha vendet kanë nisur të armatosen, madje rëndë. Fshati ynë po mbushet me armë dhe tani të gjithë shkojnë nëpër dasma me xhepat plot me bomba. Aty mund të plasë një konflikt nga çasti në çast. Kështu duket sot Europa dhe bota, e cila nuk kuptohet pse gjithnjë i bën luftërat në Europë. Amerikanët luftojnë në Europë, rusët luftojnë në Europë, kinezët nuk kanë ardhur akoma. Kështu ka qenë dhe kështu është. Dhe meqë kështu ka qenë, mesa duket kështu do jetë, sepse të gjithë po presin që në Europë të ketë luftë prandaj të gjithë po armatosen. Franca për 10 vjet e dyfishon buxhetin e saj ushtarak, nga 30 miliardë në 60 miliardë euro.
Zvicra një vend neutral, ka vendosur që deri në vitin 2030 ta dyfishojë buxhetin e ushtrisë nga 6 në 11 miliardë. Greqia e ka rritur me dy herë në dhjetë vjet shpenzimin për ushtrinë dhe sot harxhon 8 miliardë dollarë në vit. Serbia, vendi që kërcënon më shumë fshatin afër nesh, nga viti 2016 e ka dyfishuar buxhetin e ushtrisë nga 700 milionë në 1.5 miliardë dollarë dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe Kroacia. Jo çuditërisht, më shumë nga të gjithë, shpenzimet ushtarake po i rrisin ata që kanë ushtritë më të forta dhe armët më të frikshme. Të mëdhenjtë. Amerika, Rusia dhe Kina. Në dy vitet e fundit Kina e ka dyfishuar buxhetin ushtarak nga 230 miliardë dollarë në 470 miliardë. Natyrisht bëhet gati të mbrohet, por më e sigurt është se po bëhet gati të sulmojë. Rusia harxhonte në vitin 2021, 65 miliardë dollarë për ushtrinë, sot harxhon 140 miliardë dhe për tri vitet e ardhshme do shkojë në 600 miliardë.
Ukraina mjafton për të kuptuar pse. Do vazhdojë të sulmojë në Perëndim në Europë, sepse në Lindje nuk ka ku shkon. Shumë njerëz në Shqipëri, përfshi edhe mua, mendojnë se askush nuk ka pse e sulmon Shqipërinë, por edhe nëse kjo ndodh, për arsye që sot nuk i kuptojmë, NATO do na mbrojë. Natyrisht që kjo është një garanci e madhe, megjithatë duke parë se të gjithë fqinjët armatosen, nuk mund të flesh i qetë. Çfarë dinë ata që ne nuk e dimë? Çfarë ndodh nëse ka një konflikt global si ai i Luftës së Dytë Botërore kur Gjermania, fuqia më e madhe e botës erdhi në Shqipëri dhe na pushtoi gati një vit për të kaluar në Greqi? A do kalojnë prapë në territorin tonë ata që duan të shkojnë diku tjetër? A do e sulmojë Rusia NATO-n, apo do të ndodhë e kundërta, NATO do sulmojë Rusinë e dobësuar nga Ukraina?
Ndoshta jo, por ndoshta po. Ne jemi gjithmonë si ai fshati mes dy qyteteve në luftë. Nuk mund të mos prekemi. Ciflat e bombave që kalojnë mbi qiellin tonë mund të na plagosin çdo ditë. Sot bota është një vend më i rrezikshëm se para 30 vitesh, shumë më i frikshëm se para tri vjetësh dhe shumë më i paparashikueshëm se para tre ditësh. Nëse bota jashtë nesh ka ndryshuar shumë, megjithëse disa thonë që nuk ka ndryshuar shumë, në 30 vjet diçka ka ndryshuar shumë brenda nesh. Fëmijët që tani kanë mbushur moshën e armëve kanë më shumë arsye për ta mbrojtur vendin.
Ky vend mund të mos jetë çdo ditë i dashur, por nuk të jep më asnjë arsye për ta urryer. Ai nuk të fut në burg kur e shan, nuk të vret kur e braktis dhe nuk të ndalon të kesh prona. Të rinjtë e Shqipërisë kanë sot po aq arsye sa një francez, një zviceran dhe një kroat për të mbrojtur vendin e tyre. Atyre nuk u mungon as shpirti, as fuqia dhe as dashuria. Atyre u mungojnë vetëm armët. Sepse prindërit e tyre i shitën.