Mon, Nov 25, 2024

“Do ta paguajnë rëndë”, Izraeli zotohet se do t’i përgjigjet sulmit të rebelëve Huthi

  • PublishedSeptember 16, 2024

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se rebelët Huthi të Jemenit do të paguajnë një “çmim të rëndë”, pasi një raketë e hedhur nga ta, ra në Izraelin qendror.

Ushtria izraelite tha se raketa ra në një zonë të pabanuar të dielën dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore nuk arritën ta shkatërronin përpara se të hynte në hapësirën ajrore izraelite.

Ajo shtoi se është duke hetuar incidentin.  Kjo është hera e parë që një raketë e lëshuar nga ky grup, arrin në Izraelin qendror, i cili është rreth 2.000 kilometra nga Jemeni.

Rebelët Huthi thanë se përdorën një lloj të ri rakete hipersonike për operacionin e tyre. Ata janë një grup i armatosur, që pushtoi pjesën më të madhe të Jemenit, gjatë luftës së vazhdueshme civile në këtë vend.

Ata, po ashtu, e kanë deklaruar veten pjesë të “boshtit të rezistencës” – që udhëhiqet nga Irani – kundër Izraelit, SHBA-së dhe Perëndimit më gjerë.

Grupi tha se sulmi i së dielës u krye në solidaritet me palestinezët dhe se Izraeli duhet të presë edhe të tjera përpara përvjetorit të parë të sulmeve të 7 tetorit.

Më 7 tetor të vitit të kaluar, Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë qindra pengje.

Në përgjigje, Izraeli vazhdon fushatën masive të sulmeve në Gazë – enklavë e populluar me palestinezë, nën kontrollin e Hamasit.

Sipas autoriteteve në Gazë, mbi 40.000 njerëz atje janë vrarë deri më tash./ REL



AlbaniaWeb.net