Mon, Nov 25, 2024

Samiti për Sigurinë Industriale, Balluku: Shqipëria ka përafruar angazhimin e ri të industrisë së mbrojtjes së NATO-s

  • PublishedSeptember 16, 2024

Për herë të parë në Tiranë u zhvilluan punimet e Grupit Ndërkombëtar të Punës për Sigurinë Industriale, me përfaqësues nga 38 shtete të ndryshe dhe 5 struktura të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Europian.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku në fjalën e saj tha se është thelbësore të ndërtojmë qëndrueshmëri kibernetike kombëtare dhe të krijojmë bashkëpunim të fortë me aleatët dhe me partnerët tanë.

“Nëse ka një fushë më specifike në të cilën asnjë nga ne nuk bën dot i vetëm, padyshim kjo është siguria. Luftërat e sotme zhvillohen jo vetëm në fushëbetejë me armë konvencionale, por dhe në hapësirën kibernetike, ku infrastruktura kritike, linjat e furnizimit dhe industritë e mbrojtjes janë objektivat e tyre të preferuara”, tha Balluku.

Qeveria Shqiptare, theksoi Balluku, mbetet e angazhuar për të forcuar sigurinë përmes partneriteteve me aleatët tanë.

“Shqipëria, si një anëtare e NATO-s, e ka kuptuar kërkesën strategjike për krijimin e një industrie të fortë të mbrojtjes për të zbatuar strategjinë e shkurajimit dhe mbrojtjes së NATO-s. Si rezultat, Shqipëria ka përafruar plotësisht Angazhimin e Ri të Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s dhe ka kryer një rishikim të plotë të dokumenteve strategjike dhe kuadrit ligjor për të adresuar ringjalljen e industrisë së mbrojtjes”, tha më tej zëvendëskryeministrja.

Në këto kushte, sipas Ballukut, vihet re qartazi kalimi i Shqipërisë nga një konsumator i sigurisë në një ofrues sigurie në rajon.

Grupi Ndërkombëtar i Punës për Sigurinë Industriale ka mision të promovojë, përmirësojë dhe harmonizojë praktikat më të mira të përbashkëta ndërkombëtare të sigurisë industriale për të mbrojtur informacionin e klasifikuar.



AlbaniaWeb.net