“Duhet të jemi perfekt”, Fonseca karikon Milan, Slot-Van Dijk: Koha për të reaguar
Fitorja me “poker” golash kundër Venezia-s erdhi pikërisht në momentin e duhur për Milan, një fitore që qetëson ambientin në shtëpinë e “djallit” në vigjilje të sfidës së parë kundër Liverpool në Champions League. Nuk është më një finale, por sërish mbetet një ndeshje shumë e bukur që pritet me shumë interes nga tifozët e të dy ekipeve. Në “San Siro” pritet një atmosferë elektrizuese, të paktën kështu shpreson trajneri Fonseca:
“Kemi nevojë për dashurinë e tifozëve tanë. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për ne për të treguar se sa vlejmë. Fitoret sjellin gjithnjë besim, por me Liverpool do të jetë një ndeshje ndryshe. Skuadra po rritet, të fitosh të bën gjithnjë mirë. Liverpool është një skuadër e madhe, një skuadër me individualitet dhe që pozicionohet mirë. Ne duhet të jemi perfekt për të fituar. Nuk duhet të gabojmë në asgjë. Unë e konsideroj Liverpool si një nga skuadrat më të mira në Evropë”, u shpreh trajneri i Milan në konferencë për shtyp.
Ndryshe nga Milan, Liverpool pësoi humbjen e parë me Slot në stol, për më tepër një humbje e ardhur nga Nottingham, por për teknikun holandez sfida kundër Milan është një histori tjetër:
“Çdo ndeshje është ndryshe nga ajo e fundit. Ky është një tjetër turne, janë shumë elementë që duhet të merren në konsideratë. Federico Chiesa? Nuk është ende gati ta nis nga fillimi, por për sa kohë është këtu me ne do të thotë se mund të luajë ndonjë minutë”.
Në krah të Slot ishte edhe kapiteni Van Dijk i cili e nisi fjalën e tij pikërisht nga humbja kundër Nottingham: “Kemi një grup të shkëlqyer që e kupton shumë mirë zhgënjimin pas asaj humbje të papranueshme. Të gjithë e dimë se çfarë jemi të aftë të bëjmë, këtë duhet ta tregojmë kundër Milan”, theksoi Van Dijk.
()