Sun, Nov 24, 2024

Rritja e pagave të politikanëve/ Shabani: Do shoqërohet me inflacion dhe ngritje taksash. Eksperti i ekonomisë: Anomali! Në prill s’ka pasur seanca

  • PublishedMay 31, 2023

Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me rritjen e pagave për deputetët dhe zyrtarët e lartë.

Shabani deklaroi se me miratimin e rritjes së pagave të politikanëve do duhet të ketë rritje të ekonomisë, përndryshe kjo do shoqërohet me rritje të inflacionit për shkak të printimit të parave ose me rritje të taksave.

Sipas tij deputetët janë në konflikt interesi duke votuar për rritjen e pagave të tyre, ndërsa shtoi se një pjesë e madhe e tyre nuk kanë folur ndonjëherë në parlament apo të kenë marrë pjesë në komisione për të justifikuar rritjen e rrogës.

Nga ana tjetër eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli ka deklaruar se rritja e pagave të politikanëve në këtë mënyrë është një anomali për shkak të nisjes së kësaj mase që në prill të vitit 2023, muaj në të cilin nuk ka pasur seanca parlamentare.

Ai shtoi se në këtë vendim ka mungesë të ndjeshmërisë ndaj popullit të gjerë, por edhe korrektese ndaj figurës që përfaqësojnë.

Shabani:
Një deputet sot do marrë një pension në ditë. Nuk është vetëm kjo pabarazia që rritet sepse do rriten taksat për të rritur nivelin e pagave në administratë. Ose duhet të rritet ekonomia, që nuk po e shohim, ose do printohen më shumë para që do sjellë rritje inflacioni, ose do rriten taksat. Mund të ndodhin edhe të dyja së bashku. Kemi një sistem taksimi të padrejtë, takson më shumë shtresën e mesme që varfërohet më shumë dita ditës.

Thelbi është konflikti i interesit që kanë deputetët. Janë të vetmit që rrisin pagat e vetes. Mund t’i rrisnin për mandatin e ardhshëm për të eliminuar konfliktin e interesit. Në çdo profesion kur kërkohet rritje rroge duhet treguar çfarë është bërë për ta merituar. Një pjesë e madhe e deputetëve nuk kanë shkuar një herë për të folur, as në komisione nuk kanë ikur. Vetëm kanë votuar koncesione që kanë sjellë dëme.

Për vete i kanë rritur rrogat që në prill 2023. Në prill nuk ka pasur fare seanca. Pra kaq mjafton për të kuptuar shkëputjen e tyre nga votuesit e tyre. Një mjek apo mësues bën shërbime publike, ndërkohë çfarë kanë bërë këta për të merituar rritje rroge kaq të madhe.

Çoçoli:
E gjykoj anomali të shtrirë në kohë. Kjo është një lëvizje e shtrirë në kohë dhe përfundon në korrik të 2024-ës. Rritja e pagës për administratën. E gjykoj anomali që rroga e tyre u rrit që në prill, duke përmendur edhe konfliktin e interesit. Parlamentet perëndimore e kanë rritur rrogën e tyre, por jo për veten, por për legjislaturën e ardhshme pas tyre. Pavarësisht se ka dy arsye, që nuk ishte rritur nga viti 2013. Brenda ke mungesë të ndjeshmërisë ndaj popullit dhe të rrisësh rrogën e vetes pa pritur korrikun e 2024 është po ashtu mungesë korrektese. Po ashtu duke rritur rrogën që në fillim krijon një mospërputhje.

Nga ana tjetër duhet të dimë dy gjëra. Kur ndryshon piramida dhe shtohen paratë e atyre në mes do shtohen edhe paratë e atyre lart. E konsideroj të papërshtatshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.