Sat, Nov 23, 2024

Lëkundet stoli i Fonseca-s, Ibra mendon për një “timonier” të ri, në skenë del edhe Terzic

  • PublishedSeptember 19, 2024

Vetëm 1 fitore në 5 ndeshje zyrtare janë shifra që nuk kënaqin askënd në Milanello, jo vetëm që nuk ngrohin ambientin kuqezi, por kaq ka mjaftuar që stoli i Paulo Fonseca-s të tronditet ndjeshëm.

Vigjilja e derbit të Madonnina-s e gjen Fonsecan të vetëm dhe aspak të sigurt për të ardhmen e tij. Pikërisht derbi kundër Inter mund të jetë edhe i fundit për të në stolin e “djallit” pasi tani edhe vetë drejtuesit e Milan, me Ibrahimovic në krye, nuk kanë më të sigurt se Fonseca është njeriu i duhur për të drejtuar këtë ekip.

Milan nuk bind thuajse në asnjë drejtim, ekipi i tij vijon të bëjë të njëjtat gabime, pëson gola thuajse fotokopje, siç ndodhi kundër Torino, Parma dhe Lazio. Fitorja me “poker” golash kundër Venezia-s ishte vetëm një mirazh pasi Liverpool nxori edhe një herë në pah të gjithë problemet e Milan.

Sigurisht pas ndeshjes kundër “The Reds” askush nuk foli për shkarkim, por në ditën pasuese, Fonseca e pa veten pa asnjë në krah. Sipas mediave, Ibra dhe pjesa tjetër e stafit drejtues po mendojnë realisht për një trajner të ri, madje sipas mediave italiane, për më tepër media pranë klubit si MilanNews, flasin për një takim që Ibra ka zhvilluar me Edin Terzic, ish trajnerin e B.Dortmund.

Jo vetëm Terzic, në tavolinën e Ibrës janë edhe emra të tjerë si Igor Tudor, Maurizio Sarri, por dhe Massimiliano Allegri.

()

 

AlbaniaWeb.net